ABNA-SE merr status zyrtar, ATSH anëtare themeluese

by admin
Spread the love

BURGAS (Bullgari), 19 shtator/ATSH/- Bullgaria bëhet selia zyrtare e Organizatës së Agjencive Ballkanike të Lajmeve (ABNA) – Evropa Juglindore (SE). Sekretar i përgjithshëm i organizatës do të jetë drejtori i përgjithshëm i agjencisë bullgare të lajmeve, BTA, Kiril Valçev, mandati i të cilit do të jetë tre vjeçar.

Kjo u votua dhe u pranua njëzëri nga përfaqësuesit e agjencive të lajmeve nga 11 vende pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të 30-të ABNA-SE, të cilën BTA e mikpriti në Burgas.

Regjistrimi zyrtar i ABNA-SE do të jetë në Bullgari dhe selia e saj do të jetë në BTA. Gjithashtu u miratua edhe statuti i ABNA-SE i cili ndjek parimet e përcaktuara të statutit të Asamblesë së Agjencive Evropiane të Lajmeve (EANA).

“Kjo i shërben një njohjeje më të gjerë të vendit tonë, sepse nuk ka shumë organizata ndërkombëtare të regjistruara dhe kjo është nga të paktat. Njëmbëdhjetë shtete u bashkuan nga Ballkani, ne kemi edhe një vëzhgues nga Italia dhe presim që edhe vende të tjera te anëtarësohen”, tha Kiril Valçev.

Sipas tij, organizata mund të zgjerohet edhe më tej, duke pasur parasysh Evropën Juglindore.

Kiril theksoi se Moldavia, Gjeorgjia, Armenia mund t’i shtohen Shqipërisë,  Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Qipros, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë, Turqisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.

President i ABNA-SE u zgjodh drejtori i përgjithshëm i agjencisë greke të lajmeve, ANA, Emilios Perdikaris.

Asambleja e radhës e organizatës do të zhvillohet në Selanik, pranverën e vitit 2023, ndërsa Turqia do të presë ABNA-SE në 2024.

Bordi i Drejtorëve të ABNA-SE përfshin presidentin aktual të ABNA-SE, Skënder Krasniqi, pronar i agjencisë së lajmeve “Kosova Press” dhe Serdar Karagöz, drejtor i përgjithshëm i AA-së.

Ideja për të krijuar Organizatën e Agjencive Ballkanike të Lajmeve lindi në shtator 1994, në një takim në Sofje të përfaqësuesve të agjencive të lajmeve nga Ballkani.

Asambleja e parë e Përgjithshme themeluese jozyrtare e ABNA-SE u mbajt në qershor 1995 në Selanik.

Qëllimi i organizatës është të mundësojë zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive të lajmeve nga rajoni si dhe të kontribuojë në krijimin e një klime paqeje, miqësie dhe bashkëpunimi në Ballkan.

Në këtë organizatë bejnë pjesë ATSH, FENA, BTA, ANA, CNA, KosovaPress, MIA, Agerpres, TANJUG, AA dhe HINA./

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Lexo lajme interesante

You may also like