Abdixhiku për shtrenjtimin e çmimeve në Kosovë: Qeveri e paaftë, bën spektatorin

by admin
Spread the love

Pas publikimit të indeksit të hamronizuar të çmimeve nga ana e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku që tha akuzoi ekzekutivin për paaftësi në menaxhim të situatës duke qëndruar vetëm si spektatore.

“Kosova po përballet me valën më të rëndë të papërballueshmërisë së çmimeve në historinë e saj. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës – raportit të publikuar sot – për vetëm një vit, çmimet e produkteve më bazike ushqimore e të shërbimeve kanë prekur rekorde të reja në vend”, shkroi Abdixhiku.

Ai theksoi se mielli është shtrenjtuar për 29%, buka për 17%, vaji për 46%, sheqeri për 23%, patatet për 24%, domatet për 30%, nafta e benzina për gati 30%, e energjia elektrike – pa subvencion – nga 85-104%.

“Janë çmime të rritura për vetëm 1 vit. Kjo rritje enorme, e paprecedentë deri më tani, vendosë kosovarët në krizën e papërballueshmërisë së përditshme. Përballë kësaj krize, Qeveria Kurti ka braktisur detyrat e saj. Në kulmin e rritjes, ajo vazhdon të jetë vetëm spektatore. Vështron krizat barabartë me secilin qytetar. Asnjë masë fiskale, asnjë politikë qeveritare, asnjë pako zhvillimore e ndërmarrë deri më tash. Paaftësia qeverisëse kushton. Paaftësia e kësaj Qeverie kushton shumë”, vijoi Abdixhiku.

Sipas tij, politika publike duhet të jetë e gjallë dhe vizionet zhvillimore duhet të jenë të mëdha e të guximshme. “Ngurtësimi në retorikë të thatë, herët apo vonë sjellë krizë. Dhe me çmime inflative si këto, ky vend veçse po futet në krizë”, përfundoi Abdixhiku.


Top Channel

You may also like