Abdixhiku: Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë, s’mund të krijojë stabilitet në veri

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, se s’po mund të krijojë dhe të ushtrojë sovranitet në veri.

Abdixhiku thotë se Kosova sot s’ka institucione shtatore në veri, që mund të organizojë zgjedhje, njofton Klankosova.tv.

“Albin Kurti tashmë ka rënë në kurthin e Serbisë. Ai s’mund as të krijojë stabilitet e as të ushtrojë sovranitet në veri. Ai sot nuk ka as edhe një plan shtetëror për të ballafaquar gjendjen në veri”, ka shkruar Abdixhiku.

“Barrikadat e grupeve kriminale po bëhen tashmë të zakonshme, siç po bëhet i zakonshëm dhe moszëvendësimi i qindra policëve të dorëhequr, prokurorëve, gjyqtarëve e punëtorëve administrativ në veri që s’ushtrojnë detyrat pa të cilat shteti nuk ka përfaqësim. Për më tepër, sot Kosova as nuk ka institucione shtetërore në veri e as që mund të organizojë zgjedhje demokratike për t’i zgjedhur këto institucione aty. Pra jemi në vakum administrativ. Nëse ishte keq e rëndë në Veri, sot është dhe më keq e edhe më rëndë se që ishte paraprakisht. Kjo është e vërteta në veri dhe këtë të vërtetë institucionet e Kosovës s’mund ta lejojnë të normalizohet tani”.

Kreu i LDK-së, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë.

“Fjalimet e kota e populliste nga foltoret në Prishtinë sot humbasin përbrenda thatësisë. Sot humbasin dhe zërat që i kërkonin Kosovës t’i shpërfaqë sovranitetin aleatëve tanë, tek po të njëjtit aleatë që thirremi sot për ndihmë kur bandat kriminale të Serbisë e Rusisë veprojnë në territorin tonë lirshëm e pa pengim”.

“Prandaj koordinimi është mençuri e maturi. Ecja me aleatë ka qenë gjithnjë interes kombëtar i Kosovës. Ai shpërfaqet si servilitet vetëm përpara politikanëve të turmave e ideologëve anti-perëndim që për qëllim të hapur mbajnë rrënimin zhbërjen e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

“Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë. Nga aty të koordinojë çdo hap të ardhshëm me aleatë për të kthyer rendin e ligjin në veri. Sjellja e vonuar, apo e pakoordinuar, është vazhdimësi e tënkes në kurthin e Serbisë”.

You may also like