AAK ankohet për mosbashkëpunim të Qeverisë me komuna, krijon forum për t’i adresuar këto probleme

by admin
Spread the love

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj,
është shprehur i shqetësuar se Kosova mund të shkojë në kollaps për shkak të
krizës energjetike në prag.

Në konferencën
për media bashkë me kryetarët e komunave të kësaj partie, sipas Haradinajt,
institucionet dhe qeveria nuk janë serioze dhe s’kanë një plan sesi t’i qasen
këtij problemi para dimrit që po vjen.

“Jemi dëshmitarë
që inflacioni në vend është mbi 14 për qind dhe t’iu them të drejtën s’po
shohim veprime konkrete të qeverisë. Qeveria jonë, ka bllokuar ligjin e pagave
dhe nuk po shihen veprime konkrete për ecjen para me këtë ligj. Të njëjtën kohë
janë bllokuar edhe nisma të tjera si ajo për tërheqjen e një përqindjeje të
mjeteve nga Trusti. Qeveria po i grumbullon paratë në arkën e shtetit, por s’po
i nxjerr në qarkullim dhe nuk po i kthen në ekonomi që është shqetësim për
Kosovën”.

Pos këtyre
problemeve, Haradinaj tha se ka ndikim direkt edhe nëpër komuna.

“Qeveria ka kohë
që s’po tregohet bashkëpunuese, por edhe ajo e përgjegjshme në raport me
komuna. Ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në ndarjen e buxhetit për komunat,
ka probleme serioze e kontrata për kryerjen e punëve të ndryshme në komuna. AAK
ka vendosur të krijojë forumin e kryetarëve të komunave si një mekanizëm të
adresimit të problemeve dhe temave të qeverisjes në nivel komunal në raport me
qeverinë qendrore”, tha Haradinaj.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, u shpreh se Aleanca është e kënaqur me punën e kryetarëve të komunave dhe kërkoi nga Qeveria një qasje më të lehtë për trajtimin e problemeve te qytetarëve.

“Aleanca është e lumtur me punën që kanë bërë kryetarët e
komunave. Kemi çështje që i diskutojmë dhe mesazhi është që kërkojmë ta kemi një
Qeveri që problemet e qytetarëve të përfundojnë në komunë”.

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se një bashkëpunim miqësor me Qeverinë është i nevojshëm.

“Duhet ta kemi bashkëpunim miqësor me qeverinë. Dua ti paraqesë disa shqetësime dhe organi shqyrtues t’i fillojë sa më shpejt punimet. Për mua është shqetësuese edhe shtëpia e kulturës dhe kemi problem edhe te varrezat”, tha ai, raporton EO.

You may also like