A mund të zëvendësohet Zoran Zaev nga një kryeministër shqiptar? Flasin njohësit nga Maqedonia e Veriut

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Të dielën u mbajt raundi i dytë i votimeve për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut. Partia LSDM që deri mbrëmjen e së dielës e udhëhoqi Zoran Zaev, nuk doli mirë në këto zgjedhje,

Me t’i shpallur rezultatet preliminare Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, erdhi reagimi i Zaevit i cili u dorëhoq nga posti i kryeministrit dhe kreut të partisë.

Njohësi i çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut Xhelal Neziri, në një intervistë tha se ky veprim i Zoran Zaevit është një shenjë që ai mund të tërhiqet nga politika.

Neziri tha se zgjedhet e përgjithshme nuk mund të përjashtohen, por se asnjëra nga partitë nuk i dëshiron ato.

“Zaev si duket po tërhiqet tërësisht nga politika. U fut në politikën nacionale në vitin 2013, kur mori drejtimin e LSDM, e solli në pushtet në vitin 2016 pas një krize serioze politike dhe të sigurisë me publikimin e përgjimeve, zgjodhi problemin me Greqinë dhe anëtarësoi vendin në NATO. Ajo që e goditi më shumë ishte një here vetoja franceze në vitin 2019 për shkak të kërkesës për një metodologji të re të procesit të bisedimeve anëtarësuese, e së fundmi edhe vetoja bullgare. Arriti të anëtarësojë Maqedoninë e Veriut në NATO, por dështoi me BE-në. U ndje i tradhëtuar nga Brukseli, i cili i kishte premtuar një integrim të shpejtë nëse zgjidh problemet historike me Athinën dhe Sofjen. Zaev pagoi çmimin e mungesës së rezultateve në këtë drejtim. Zgjedhjet e parakohshme nuk përjashtohen si skenar, por duket se asnjëra nga partitë nuk i dëshiron ato”.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut ka gjasa që të ketë edhe një kryeministër shqiptar.

“Nëse shkohet në krijimin e një koalicioni të gjerë me katër partitë kryesore në qeveri, atëherë ka shumë gjasa që kryeministri të jetë shqiptar. Aq më tepër kur para qeverisë është një problem tjetër i ndjeshëm për maqedonasit etnik – marrëveshja me Bullgarinë për historinë dhe gjuhën maqedonase. Nëse vazhdon ky koalicion LSDM-BDI, atëherë sipas marrëveshjes 100 ditë para zgjedhjeve vendi do të ketë kryeministër shqiptar”.

Sipas tij është e vështirë të përsëritet një model i kryeministrit si Zoran Zaev, sa i përket bashkëpunimit rajonal.

Ai tha se kryeministri i deritanishëm krijoi raporte të hapura me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe poashtu kishte shumë miq në Kosovë.

“Zaev ndërtoi raporte të hapura me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe rajon. Kishte shumë miq në Kosovë. Nuk besoj se mund të përsëritet një profil kryeministri si ai kur bëhet fjalë për këto bashkëpunime rajonale”.

Njohësi i çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut komentoi edhe rezultatin e zgjedhjeve lokale atje.

Ai tha se këto rezultate janë si pasojë e rënies së mbështetjes për LSDM-në sesa ngritje e VMRO-DPMNE-së.

“Janë rezultate të pritura. Këto rezultate ishim më shumë si pasojë e rënies së mbështetjes ndaj LSDM-së, sesa e ngritjes së VMRO-DPMNE-së. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara lokale të 2017 LSDM ka një rënie spektakolare prej 200 mijë votash. Pra, para katër viteve numëronte 450 mijë vota, tash vetëm 240 mijë. VMRO-DPMNE ka shënuar një rënie më të vogël – në 2017 kishte 330 mijë, tash ka afër 290 mijë. Pra fitorja e VMRO-DPMNE-së nuk ka të bëjë me ngritjen e kësaj partie, por me rënien e LSDM-së.

Nga ana tjetër, gazetari i Radio Televizionit të Maqedonisë, Zekirja Mexhidi, tha se dorëheqja e Zoran Zaevit, nga posti i kryeministrit e fut këtë vend në krizë të re politike.

Mexhidi tha se dorëheqja e Zaev-it ka qenë befasuese.

“Janë zhvillime që fusin Maqedoninë e Veriut do të thoja në një krizë të re politike. Rezultati i dobët, apo debakli që ka pësuar partia e kryeministrit Zaev në këto zgjedhje ka qenë e pritshme por dorëheqja teksa shpalleshin akoma rezultatet preliminare ka qenë befasuese”.

Ai theksoi se qëllimi i Zoran Zaev e ka për qëllim që të shmang zgjedhjet e parakohshme.

“Po, pikërisht. E tha edhe vet ai, se do to të jetë partia e tij e cila do të formojë sërish qeverinë pasi pretendon që akoma i ka numrat por kjo mbetet për tu parë për shkak se në të njejtën kohë edhe opozita pretendon se i ka numrat për të formuar shumicën e re por le të shohim në ditët në vijim. Zaev ka një qëllim, do të bëj çmos për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme pasi në asnjë menyre nuk i përshtatën”.

Gazetari i RTM-së shtoi se shqiptarët do të jenë faktorë edhe pa Zaev-in, dhe raporti i Maqedonisë së Veriut nuk do të ndryshojë kushdo që të vijë kryeministër.

“Edhe pa Zaevin shqiptarët do të jenë faktorë kyç për rrjedhën e proceseve në shtet, ndërsa raporti i Maqedonisë së Veriut me këdo qoftë kryeministër nuk mund të ndryshojë karshi Kosovës dhe Shqipërisë për shkak të faktorizimit të shqiptarëve në Maqedoni”.

Mexhidi tha se mund të bëhet realitet që kryeministri i Maqedonisë së Veriut të bëhet një shqiptar.

“Sa i përket kryeministrit shqiptar ndoshta do të bëhet realitet por nuk e besoj se në këtë moment për shkak të shumë paqartësive që janë krijuar pas këtyre zgjedhjeve”.

“Partitë shqiptare bashkëpunuan edhe në këto zgjedhje me partitë maqedonase. BDI bashkepunoi me LSDM dhe ASH bashkepunoi me VMRO DPMNE”.

You may also like