A do të përdorë Rusia një armë bërthamore në Ukrainë? – Shqip

by admin
Spread the love

Nga Ian Bremmer

“Ekathimerini”

Është një pyetje mbi të cilën shërbimet perëndimore të inteligjencës po punojnë gjatë gjithë kohës, dhe mbi të cilën udhëheqësit perëndimorë po peshojnë me kujdes të gjithë skenarët e mundshëm. Presidenti Vladimir Putin ka paralajmëruar se Rusia rezervon të drejtën të bëjë këtë.

Rrjedhimisht, edhe kur ai duket se e hedh poshtë këtë mundësi, rreziku i të qenit më afër një lufte bërthamore sesa në çdo kohë që nga Kriza e Raketave në Kubë në vitin 1962, bëhet një realitet i pashmangshëm. Nga njëra anë, Putin ka pak opsione të mira në dispozicion për të fituar luftën që ka nisur në Ukrainë.

Gjatë 9 muajve të fundit, ushtria e tij ka treguar se është e paaftë të arrijë objektivat që i ka caktuar udhëheqësi i tyre. Trupat ruse nuk ishin të përgatitura siç duhet për këtë konflikt, armët e tyre janë të vjetra dhe difektoze, ukrainasit kanë luftuar në një mënyrë shumë efektive. Perëndimi e ka armatosur dhe financuar vazhdimisht qeverinë dhe ushtrinë e Ukrainës, ndërsa morali i trupave ruse është shumë i dobët.

Trupat ruse mund të jenë në gjendje të mbrojnë një pjesë të territoreve që pushtuan në javët e para të luftës, por ato duken të paafta që të pushtojnë territore të reja. Rusia mund t’i shkaktojë dhimbje popullit ukrainas, por nuk mund t’i mposhtë ukrainasit në fushën e betejës.

Me pak fjalë, Rusia nuk mund ta fitojë dot luftën e Putinit, dhe një Ukrainë kurajoze nuk sheh asnjë arsye për të bërë kompromis me të. Megjithatë, retorika e Putinit sinjalizon se synimet e tij maksimaliste mbeten në fuqi. Ai këmbëngul se Shtetet e Bashkuara po e përdorin Ukrainën për të gjymtuar Rusinë, dhe se vetëm nënshtrimi total i Ukrainës dhe riintegrimi i saj në një “Rusi të madhe” mund ta shpëtojë vendin e tij.

Publikisht nuk ka asnjë përpjekje për kompromis, të cilin askush nuk po e ofron në asnjë rast. Përveç kësaj, në mediat ruse ka shumë zëra, përfshirë zyrtarë politikë dhe ushtarakë, të cilët po i bëjnë jehonë kërcënimit bërthamor. Në Rusi, kjo është e mundur vetëm sepse e lejon Kremlini. Nuk ka dyshim se Moska po e ndjen fort presionin për të treguar rezultate në Ukrainë.

Putin e kuptoi se është shumë më e lehtë të fitosh mbështetjen për luftën e tij, vetëm nëse nuk kërkon sakrifica të mëdha nga populli rus. Dhe ai mund të jetë inkurajuar nga aftësia e Rusisë për të duruar goditjet e para të presionit perëndimor mbi ekonominë ruse, dhe ka besuar se mund të fitonte luftën e tij në ato kushte.

Megjithatë, që nga ajo kohë realiteti ka ndryshuar. Ndonëse vazhdon të këmbëngulë se Rusia nuk është në “luftë”, Putinit i është dashur të urdhërojë mobilizimin e 300.000 trupave të tjera për të parandaluar kolapsin e ushtrisë, teksa shumë rusë të tjerë po largohen për të shmangur rekrutimin. Putini mund t’ia fshehë popullit rus atë që po ndodh në Ukrainë, por ai s’mund ta fshehë atë që po ndodh në Rusi, dhe pa asnjë sukses për të treguar për “operacionin e tij special ushtarak”, po i mbarojnë rrugët për të detyruar Ukrainën, Evropën dhe Amerikën që t’i binden kërkesave të tij.

Me pak fjalë, presidenti rus është bllokuar në një qorrsokak. A mund t’i ofrojë atij një rrugëdalje përdorimi i një arme bërthamore kundër Ukrainës? Putin ka bërë shumë kërcënime boshe në të kaluarën. Kur qeveritë e Finlandës dhe Suedisë propozuan për herë të parë anëtarësimin e tyre në NATO, zyrtarët rusë paralajmëruan për pasoja katastrofike të paspecifikuara.

Të dy vendet aplikuan gjithsesi për anëtarësim në aleancë, duke e dyfishuar menjëherë gjatësinë e kufirit tokësor Rusi-NATO. Në kundërpërgjigje, Rusia nuk bëri pothuajse asgjë, ndoshta sepse nuk kishte opsione efektive në dispozicion. Në kundërpërgjigje të përparimeve të fundit të Ukrainës kundër trupave ruse, Putin njoftoi aneksimin e 4 provincave të Ukrainës që përfshijnë shumë territore që ushtarët e tij nuk i kontrollojnë dhe s’mund ta bëjnë këtë as në të ardhmen.

Duke këmbëngulur se ai territor ishte tashmë pjesë e Rusisë, Putin pretendoi se çdo vazhdim i luftës në këto zona do të sillte një reagim të fuqishëm ushtarak nga Moska. Ndërkohë Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë e bënë menjëherë të qartë se nuk kishin ndërmend t’i respektonin këto pretendime, dhe e quajtën kërcënimin si një bllof të Rusisë duke e vazhduar luftën si më parë.

Aktualisht Rusia ka nisur sulme të rënda me artilerie kundër qyteteve të Ukrainës dhe objektivave të rëndësishme të infrastrukturës. Por asnjë nga këto përgjigje nuk bën shumë diferencë në balancën e fuqisë në fushën e betejës.

Kur anijet ruse në Detin e Zi u sulmuan me dronë, Rusia hoqi dorë nga mbështetja e saj për një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia që lejonte eksportin e drithit ukrainas. Kërcënimi i nënkuptuar ishte se Rusia mund të sulmonte anijet. Gjithsesi eksportet vazhduan dhe duke e kuptuar se sulmi ndaj anijeve të ngarkuara me grurë, të destinuara për njerëzit e uritur në vendet e tjera, nuk i shërbente asnjë qëllimi, Putin e ndryshoi përsëri kursin.

Po në cilën pikë të gjitha këto disfata, bllofe dhe poshtërime, mund ta nxisin Putinin të mendojë të pa mendueshmen? Ndoshta “vija e kuqe” e vërtetë e Putinit është kufiri i Krimesë, territor të cilin rusët e pushtuan dhe aneksuan në vitin 2014, dhe që për Moskën është pjesë zyrtare e Rusisë.

Ose ndoshta testi i vërtetë do të ndodhë pikërisht tani që ukrainasit çliruan qytetin Kherson në veriperëndim të Krimesë, sepse kontrolli i asaj krahine i dha mundësi Ukrainës të kufizojë furnizimin me ujë të Krimesë. Qeveritë perëndimore i kanë marrë parasysh përpjekjet që kanë bërë zyrtarët rusë se Ukraina mund të përdorë një “bombë të pistë” për të provokua një hakmarrje të fortë perëndimore kundër Rusisë.

Askush në Uashington apo në kryeqytetet evropiane nuk e beson se Ukraina do të përdorë një armë radiologjike kundër popullit të saj, për t’i mashtruar ata që të sulmojnë Rusinë. Por disa ekspertë shqetësohen se Kremlini e ka përhapur këtë narrativë për të forcuar mohimin e vet para opinionit publik global nëse vetë Rusia do të përdorte një armë të tillë.

Dhe këtu lind një tjetër pyetje: Si do të reagonte Perëndimi nëse Rusia do të përdorte një “bombë të pistë” apo një armë bërthamore taktike. Vetë udhëheqësit politikë e shmangin përgjigjen, por shumica e analistëve ushtarakë të mirëinformuar thonë se SHBA-ja nuk do të kundërpërgjigjet me një nga armët e saj bërthamore ose nuk do të sulmonte territorin rus.

Por ajo do të sulmonte pozicionet ruse brenda Ukrainës, do të dëmtonte ose shkatërronte flotën ruse të Detit të Zi, dhe do t’i jepte shumë shpejt fund luftës në favor të Ukrainës. Ky është sigurisht mesazhi që Uashingtoni dëshiron që Kremlini të dëgjojë dhe ta marrë parasysh.

Në atë skenar vërtet të tmerrshëm, bota do ta gjente veten në një territor të pa eksploruar. Rreziku do të ishte shumë më i lartë se sa në vitin 1962. Gjatë Krizës së Raketave në Kubë, pati vetëm një viktimë, dhe ai ishte piloti i një aeroplani spiun amerikan. Askush nuk e mësoi lajmin deri pas zgjidhjes së krizës.

Skenari i lartpërmendur në Ukrainë do të shkaktonte vdekjen e mijëra ushtarëve rusë dhe një ushtri dhe marinë ruse të shkatërruar. Ky nuk është një skenar që është i përgatitur ta shohë dikush në pushtet në Moskë, Uashington apo në Evropë. E megjithatë, ky është rreziku me të cilin përballet tani bota.

S’ka asnjë shenjë se Rusia e ka ndryshuar nivelin e gatishmërisë së forcave të saj bërthamore. Rreziku është i ulët, por jo dhe aq, duke pasur parasysh rreziqet. Në Ukrainë po mbërrin dimri. Lufta do të ngadalësojë ritmin. Konflikti do të “ngrijë”. Por kjo vetëm sa do të vonojë shqyrtimin e kujdesshëm të rrezikut bërthamor, me të cilin do të jetojmë të gjithë edhe për ca kohë.

Shënim:Ian Bremmer, president i Eurasia Group, drejtues i GZERO Media dhe autori librit “Fuiqa e krizave: Opsionet bërthamore në Ukrainë”

You may also like