5G, Ericsson në podiumin botëror të inovacionit

by admin
Spread the love

Frost Radar shpërblen rezultatet e strategjisë dhe vlerës në Research and Development (Kërkim dhe Zhvillim). Shoqëria suedeze nënshkruan një marrëveshje me BT për rrjetet private të korporatave në Mbretërinë e Bashkuar që mbështeten në gjeneratën e pestë mobile

Raporti Frost Radar “Global 5G network infrastructure market” i Frost & Sullivan, vlerëson Ericsson si kompaninë numër një për sa i përket inovacionit dhe rritjes në tregun e infrastrukturave të rrjetit 5G. Pas saj renditen Nokia dhe Huawei.

Frost Radar vlerëson, në mënyrë të pavarur, kompanitë që kanë ndikim të ndjeshëm në treg në një sektor të caktuar. Rezultatet e arritura në “Innovation” (Inovacion) dhe “Growth” (Rritje) përdoren për të vlerësuar angazhimin e një kompanie në drejtim të inovacionit dhe aftësisë për të përkthyer inovacionet në rritje të vazhdueshme. Tregu 5G përfshin rrjetet e aksesit radio 5G (Ran), rrjetin e transportit dhe core network.

Ky është viti i dytë me radhë për Ericsson që kryeson në raportin Frost Radar. Kompania suedeze komentoi: “Ericsson konfirmon aftësinë për të shkallëzuar inovacionet dhe rritjen e saj në fushë në mënyrë të vazhdueshme nga 2G, në 3G, në 4G dhe tani në 5G”.

 

Edhe Nokia dhe Huawei në podium

Raporti i Frost analizon aktorët kryesorë në sektor, 21 nga mbi 100 aktivë në këtë industri, duke dalluar kompanitë e renditura si lider absolut të tregut, lider në një segment tregu apo lider të mendimit në segmente të caktuara. Ericsson, Nokia e Huawei renditen në podiumin e inovacionit në tregun e infrastrukturës së rrjetit 5G, ashtu siç kanë qenë në tregun e rrjetit 4G, thekson Frost & Sullivan.

 

 

Për Ericsson, 108 rrjete live 5G në 48 vende

Përveç marrëveshjeve tregtare 5G të njoftuara, Ericsson ka edhe disa klientë të cilët synojnë të kalojnë te 5G në vitet e ardhshme. 108 rrjetet 5G live që shfrytëzojnë zgjidhjet Ericsson në 48 vende është shifra më e lartë që Frost & Sullivan ka regjistruar ndonjëherë.

Duke komentuar rezultatet e arritura nga Ericsson në Growth Index, Troy Morley, drejtues i industrisë, Frost & Sullivan Information & communication technology group, deklaroi: “Në vitet e fundit Ericsson ka ndryshuar strategjinë e vet të përgjithshme, duke u përqendruar te të ardhurat. Pavarësisht skenarit të ndikuar shumë nga pandemia, siç konfirmohet nga kompania, ajo doli fituese.

Në cilësinë e liderit në tregun e infrastrukturave 4G, Ericsson hyn në tregun 5G me një bazë të gjerë klientësh. Kompania ka bërë një punë të mirë duke ruajtur klientët aktualë dhe duke shtuar të rinj”.

 

Nxitja në rrjetet private 5G

Pikërisht në rrjetet private, BT dhe Ericsson nënshkruan një marrëveshje për t’u ofruar rrjete private 5G kompanive në gjithë Britaninë e Madhe, duke lehtësuar adoptimin e teknologjive Industry 4.0, Internet of Things dhe, në përgjithësi, zgjidhjet që mundësojnë transformimin dixhital të industrisë.

Marrëveshja, me vlerë “disa miliona paund”, siç raporton Reuters, bashkon ekspertizën e BT në ndërtimin e rrjeteve të konverguara fiks – mobile dhe njohuritë e Ericsson në teknologjinë e rrjetit 5G dhe zgjidhjet enterprise.

BT synon të investojë 100 milionë paund në tre vitet e ardhshme në filialin e tij ‘Division X’ për të përshpejtuar zhvillimin e zgjidhjeve për klientët që integrojnë teknologjitë në zhvillim si 5G, IoT, edge, cloud dhe Inteligjencë Artificiale (AI).

/ Corriere Comunicazioni

You may also like