5 vende kërkojnë të vonojnë eliminimin e automjeteve me lëndë djegëse në BE brenda vitit 2035

by admin
Spread the love

Bashkimi Europian pritet të votojë ndalimin e shitjes së makinave të reja me benzinë dhe naftë, duke nisur nga viti 2035 dhe 5 vende po planifikojnë të vonojnë me 5 vjet kalimin te vetëm automjetet elektrike.

Europa po synon të vërë në zbatim planin për t’u bërë kontinenti i parë me zero emetime karboni brenda vitit 2050.

Një pjesë e rëndësishme e arritjes së këtij objektivi është eliminimi i emetimeve të karbonit nga industria e transporteve dhe Bashkimi Europian po mbështet një plan për ndalimin e shitjes së automjeteve të reja me benzinë dhe naftë brenda vitit 2035.

Projekti është duke u finalizuar dhe në fillim të muajit u arrit një konsensus i gjerë. Por tani 5 vende synojnë ta kundërshtojnë dhe kërkojnë një shtyrje me 5 vjet.

Italia, Portugalia, Sllovakia, Bullgaria dhe Rumania duan të shtyjnë me 5 vite planin e BE-së për të ndalur shitjen e automjeteve të reja me benzinë dhe naftë brenda vitit 2035 – sipas një dokumenti të rishikuar nga Reuters.

Plani parashikon reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit të automjeteve të reja me 100% brenda vitit 2035, gjë që do të thotë se të gjithë makinat me karburant fosil do të ndaloheshin dhe do të lejohen vetëm automjete me emetime zero, si automjetet elektrike.

Sipas memorandumit, 5 vendet kërkojnë të reduktojnë me 90% emetimet e CO2 në shitjet e automjeteve të reja brenda vitit 2035 ose ta shtyjnë objektivin e reduktimit të emetimeve të C02 100% në vitin 2040.

Një zyrtar i Bullgarisë, i cili nuk pranoi të identifikohej, deklaroi se politikat klimatike duhet të marrin në konsideratë faktorë ekonomikë dhe socialë “si ndryshimet e dukshme” në fuqinë blerëse në vendet e BE.

Brukseli thotë se viti 2035 është i rëndësishme, pasi jeta mesatare e automjeteve të reja është 15 vjet dhe shtyrja do ta pengonte BE në arritjen e emetimeve neto zero brenda vitit 2050 – që sipas shkencëtarëve do të shmangte ndryshimet katastrofike të klimës.

Disa qeveri të BE kanë dalë në mbështetje të objektivit në vitin 2035, por ministri gjerman i Financave deklaroi këtë javë se tregu më i madh automobilistik i BE nuk do ta mbështesë.

Ford dhe Volvo Cars e kanë mbështetur publikisht planin dhe Volkswagen synon që të ndalë shitjen e automjeteve me motorë me djegie në Europë brenda vitit 2035. Por grupe industriale si Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automobilave e kanë kundërshtuar objektivin për vitin 2035, duke përmendur disa shqetësime, mes të cilave paqartësinë e instalimit të rikarikuesve.

BE po diskuton për një tjetër ligj që u kërkon vendeve të instalojnë miliona rikarikues automjetesh brenda kësaj dekade.

Normativa pritet të finalizohet javën e ardhshme dhe nuk është e qartë nëse kundërshtimi i këtyre vendeve do të ketë efekt.

/ Electrek


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like