40 metra sprint, stërvitje sfilitëse e arbitrave të Premier League: Salah nuk na pret ne!

by admin
Spread the love

Përgatitjet parasezonale nuk janë vetëm për futbollistët, por edhe një nga asetet më të rëndësishme të këtij sporti, arbitrat.

Gjyqtarëve, gjithashtu iu duhet të punojnë shumë për një nivel fizik të kënaqshëm pasi edhe ata bëjnë kilometra në fushë për të ndjekur nga pranë aksionin dhe për të marrë vendimet më të drejta. Sigurisht, përgatitja për arbitrat, bëhet edhe më e rëndë nëse bëhet fjalë për Premier League, një kampionat tejet impenjativ me një ritëm tejet të lartë.

Së fundmi, Mike Dean, ish-arbitër në kampionatin anglez ka treguar “vuajtjet” e gjyqtarëve në parapërgatitjet për sezonin teksa thekson se duhet të përshkruash një distancë prej 40 metrash në sprint për 5.95 sekonda pasi në të kundërt quhet një provë e dështuar.

“Tani unë jam tërhequr, por kolegët vazhdojnë të vuajnë stërvitjet me intensitet të lartë. Testi i parë ka të bëjë me një sprint prej 40-metrash që duhet ta përshkruash për 5.95 sekonda ose më pak, pasi në të kundërt quhet një provë e dështuar. Më pas ka disa teste të përziera mes 40 dhe 75 metrave që duhet bërë në një kohë prej 15 sekondash ose më pak, e kombinuar me një ecje të shpejtë prej 25 metrash që duhet përshkruar për 16 sekonda ose më pak. Për ta kuptuar pak më mirë shkallën e vështirësisë, njëherë në stërvitje na u bashkua Jamie Carragher dhe Gary Neville.I vendosëm në provë dhe ata ishin të stërlodhur pas sfidës, mund t’iu them madje se Neville bëri me hile.

Ne ndjekim programe të caktuara edhe kur jemi në shtëpi apo me pushime, duhet të mbajme me patjetër ritmin e lojtarëve. Për fat të mirë, unë nuk kam dështuar në asnjë nga këto teste në 22-vite karrierë në Premier League. Por, duhet theksuar se asnjë nga arbitrat kryesorë të Premier League nuk ka dështuar në testet e parasezonit. Duhet të jesh i përgatitur për të përshkruar 10 km në një ndeshje dhe të mbash ritmin me sprinte në momentin e kundërsulmeve. Salah nuk ka për të na pritur!

Në fundin e karrierës sime edhe unë nuk bëja të njëjtat kilometra si i ri, por është e ngjashme me një futbollist i cili kur arrin një moshë të caktuar, menaxhon energjitë në fushë. Sa më shumë merr eksperiencë, aq më mirë e kupton pozicionin në të cilin duhet të jesh dhe kështu nuk ka nevojë për të vrapuar aq shumë. Duhet të theksoj se në sezonin e fundit të Premier League, përgjatë një 90-minutëshi, vetëm 55 minuta e shtatë sekonda kanë qenë lojë aktive dhe kjo është nga statistikat më të ulëta ndër vite.

Spektatorët kërkojnë më shumë lojë ndaj mendoj se edhe arbitrat duhet të ndihmojnë dhe të lejojnë më shumë lojë që ndeshja të bëhet e rrjedhshme, pa pengesa që ulin ritmin”, u shpreh Dean./supersport


Top Channel

You may also like