4 nga 10 emigrantë të paligjshëm që hyjnë në Angli janë shqiptarë! Zbulohet raporti sekret: Janë 9 banda, gjejnë klientët nga TikTok

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Numri i shqiptarëve që hyjnë në mënyrë të paligjshme në Angli është rritur ndjeshëm këtë vit. Katër nga dhjetë emigrantë që kalojnë Kanalin e La Mansh me varka të vogla janë nga Shqipëria, sipas një raporti sekret të inteligjencës ushtarake britanike.

The Mail on Sunday që ka siguruar raportin, shkruan se shumica e emigrantëve ilegal janë nga vendi ballkanik paqësor, ku në 25 vitet e fundit nuk ka pasur luftë, dhe jo nga vendet që janë aktualisht në konflikte.

Është hera e parë që një dokument zyrtar tregon se si pjesa më e madhe e atyre që bëjnë kalime të paligjshme drejt Britanisë, janë emigrantë që ndërmarrin rrugën e vështirë për shkaqe ekonomike.

Raporti, del në dritë pas zbulimit të Marinës Mbretërore dhe ekspertëve të inteligjencës së mbrojtjes se nëntë banda kriminale organizojnë pjesën më të madhe të transportit të paligjshëm të njerëzve.

Për gjashtë javë gjatë kësaj vere, 1.075 shqiptarë thuhet se kanë kaluar Kanalin me varka të vogla, duke rrezikuar seriozisht jetën. 37 për qind e emigrantëve që kanë hyrë në Britani nga 1 qershori deri në 1 korrik janë shtetas shqiptarë. Bandat po blejnë nga fabrikat kineze varka të mëdha me fryrje në internet nga fabrikat kineze dhe numri i njerëzve në to është jashtë kapacitetit që mund të mbajnë. Pas Shqipërisë, numrin më i lartë i emigrantëve të paligjshëm ka qenë nga Irani me 13 për qind, Afganistani, Iraku, Siria dhe Eritrea.

Shifrat, shkruan britanikja, vërtetojnë deklaratat e Sekretares së Brendshme Priti Patel se shumica e atyre që kalojnë Kanalin janë ‘migrantë ekonomikë dhe ‘jo azilkërkues të vërtetë’.

Ekspertët thonë se rrjetet sociale po ndihmojnë grupet kriminale që reklamojnë shërbimet e tyre kundrejt pagesave deri në 5.500 paund për person.

Mbi 28 mijë refugjatë kaluan Kanalin me varka të vogla në vitin 2021 dhe ky numër pritet të jesh dyfish më i lartë këtë vit.