3 paqeruajtës e 12 demonstrues të vrarë në protestat anti-OKB në lindje të RD Kongo (Fotot)

by admin
Spread the love

Qindra njerëz bllokuan rrugët dhe sulmuan selinë e trupave paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Goma, në Republikën Demokratike të Kongos.

Të paktën tre paqeruajtës të OKB dhe 12 demonstrues janë vrarë gjatë protestave të ashpra të zemerimit kundër mosveprimit të OKB për ndalimin e gjakderdhjes në vend, sipas mediave.

Misioni paqeruajtës i OKB në RD Kongo, MONUSCO, është nga më të mëdhenjtë në botë por mbetet nën kritika për mosveprim ndaj gjakderdhjes së disa dekadave në vend.

Dje turma të mëdha bastisën bazën e misionit MONUSCO në Goma, teksa protestat u përhapën gjithashtu në Beni e Butembo.
Kreu i policisë së Butembo, Paul Ngoma tha se paqeruajtësit që humbën jetën ishin dy indianë e një maroken, ndërsa të paktën shtatë demonstrues humbën jetën dhe dhjetra te tjere u plagosen.

Më herët zëdhënsi i qeverisë Patrick Muyaya tha se “të paktën pesë njerëz ishin vrarë dhe rreth 50 ishin plagosur” në Goma.
Ai shtoi se forcat e sigurisë kishin qëlluar “të shtëna paralajmërimi” ndaj protestuesve për të ndaluar sulmet ndaj stafit të OKB.

Ndërkohë protestuesit thyen dritare dhe mobilje teksa helikopterët evakuonin stafin e OKB dhe forcat e sigurisë lëshonin gaz lotsjellës.

Trazirat në Goma vijonin sot me disa të shtëna e plagosje pranë depove të furnizimit, sipas korrespondentit të AFP.

Në spitalin e qytetit kreu i administratës, Serge Kilumbiro, tha për AFP se 28 të shtruar ishin plagosur me armë zjarri.