2023, parlamenti i kaosit dhe zjarrit – Shqip

by admin
Spread the love

Parlamenti shqiptar e mbylli vitin mes rrëmujës e përballjeve politike mes opozitës e mazhorancës. Nga rritja e pagave të deputetëve, flakadanët dhe ashpërsimi i rregullores për deputetët e deri te çështjet që mbetën pezull, Klan News sjell në një material momentet më kryesore të aktivitetit politik.

Parlamenti i Shqipërisë ka një historik të gjatë të zhvillimit të seancave plenare mes kaosit dhe debatit. Fati për gjithë vijueshmërinë gjatë 2023-shit, duket se u përcaktua që në muajin janar. Shkak u bë shfaqja e emrit të kryeministrit Edi Rama në hetimet për ish-zyrtarin e lartë në SHBA, McGonigal. Kërkesa e vazhdueshme e opozitës ishte vetëm 1, Edi Rama të përballej me ta në parlament.

Por pavarësisht thirrjeve të shumta, vetëm pas dy muajsh, Edi Rama zgjodhi t’i përgjigjej opozitës nga seanca plenare, por jo vetëm për çështjen McGonigal.

Pas 1 muaji pushim të aktivitetit parlamentar për shkak të fushatës zgjedhore, deputetët kuptuan që paga mujore e tyre është e pamjaftueshme, për këtë arsye kërkuan rritje page nga qeveria. Pavarësisht debateve, edhe pa votën e kryeministrit Rama arritën ta miratonin.

Tensionet në veri të Kosovës u bënë burim debati për shumë gjatë në seancat plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

Pavarësisht debateve dhe tensioneve në seancë, mazhoranca e vetme miratoi një sërë projektligjesh të rëndësishme, si legalizimi i kanabisit mjekësor, si dhe ligji për studentët e Mjekësisë, të cilët do të duhet të qëndrojnë deri në 5 vite në Shqipëri, më pas të mund të marrin diplomën.

Parlamenti pushoi, por jo qeveria. Edi Rama ndryshoi një pjesë të kabinetit qeveritar, duke bërë që Kuvendi të niste punën në shtator duke votuar të emëruarit e rinj të Edi Ramës.

Ndërsa muaji tetor, shënoi startin e një aksioni të ashpër të opozitës,  pas rrëzimit të kërkesave të tyre për ngritjen e komisioneve hetimore.

Duke përfituar nga kjo situatë, shumica socialiste në Kuvend vendosi që komisionet parlamentare të zhvilloheshin online, ndërsa ligjet të miratoheshin pa diskutim parlamentar, përfshirë dhe ligjin më të rëndësishëm, atë të buxhetit të shtetit.

Në Kuvendin e Shqipërisë, një sërë çështjes mbetën pezull dhe pa u miratuar brenda vitit 2023. Ligjvënësit nuk mundën të emëronin Avokatin e ri të Popullit, të realizonin reformën zgjedhore, amnistinë fiskale apo të miratonin projektligjin për lojërat e fatit.

Në 1 vit, seanca plenare nuk patën në fokus asnjë shqetësim të qytetarëve, nuk pati diskutime gjithëpërfshirëse dhe as rezultate konkrete që mund të përmirësojnë cilësinë e jetë së qytetarëve.

Klan News

You may also like