Pse Erdogan i ka braktisur ujgurët myslimanë të Kinës?

Nga Kuzzat Altay, Foreign Policy

Kanë kaluar 8 vjet, që kur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vizitoi Xinjiangun, territorin formalisht autonom kinez të banuar nga myslimanët ujgurë, por që jetojnë nën kontrollin e rreptë të autoriteteve komuniste.

Ndërkohë,në vitin 2009 Erdogan e quajti shtypjen e ujgurëve një “gjenocid”, duke shkaktuar zemërimin e Pekinit, dhe duke e forcuar imazhin e tij si një udhëheqës mysliman sfidues, i gatshëm që t’ia përplasë të vërtetën në fytyrë çdo lloj pushteti totalitar.

Tetë vjet duken si një jetë e tërë, nëse kihet parasysh fakti se sa shumë i ka shkelur të drejtat e ujgurëve në pothuajse çdo aspekt të jetës Partia Komuniste Kineze. Deri më tani, shumica e botës ka dëgjuar për miliona ujgurë që janë mbyllur me forcë në kampe përqendrimi në Xinjiang (megjithëse askush nuk duket se po bën shumë për këtë gjë).

Pekini thotë se të internuarit po “de-radikalizohen”,dhe po mësojnë se si të jenë qytetarë të mirë. Gjithashtu Kina pretendon se ata janë të lirë që të largohen kur të duan.

Si një ujgur, babai i të cilit u internua, u torturua dhe u la i lirë nga një kamp kinez përqendrimi 2 vjet më vonë me një këmbë të thyer, unë mund t’ju siguroj që këto kampe nuk janë gjë tjetër veçse burgje përmes së cilëve po kryhet një spastrim etnik dhe gjenocid kulturor.

Megjithatë, shtypja e ujgurëve nuk filloi me kampet. Edhe kur Erdogan vizitoi Xinjiangun, shumë ujgurë po përpiqeshin që të largoheshin prej andej. Ata e panë vizitën e Erdogan si një gjest solidariteti. Ujgurët janë një popull etnikisht turk, dhe gjuha jonë është e lidhur ngushtë me turqishten.

Ndaj,zhvendosja drejt Turqisë ishte e logjikshme, veçanërisht duke pasur parasysh se si ky vend u ka ofruar ujgurëve azil që prej vitit 1952. Por ajo që dukej si një ide e mirë në vitin 2012, rezultoi të jetë një shpresë e rreme.

Përpjekjet autoritare të Erdogan për të mbajtur pushtetin në Turqi, përmes shtypjes së medias së lirë dhe mbylljes së gojës së disidentëve, e kanë bërë atë një aleat jo shumë komod për demokracitë liberale. Dhe teksa po përballet me një krizë ekonomike në vend, ai ka arsye të forta të afrohet me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping.

Dhe për fatin e keq, kjo gjë përkthehet shpesh në ndryshimin e politikës së Ankarasë ndaj 35.000 ujgurëve që ndodhen në Turqi, nga ofrimi i një strehe të sigurt, tek shtypja e tyre.

Pas vitit 2014, shumica e ujgurëve e kanë pasur shumë më të vështirë që të marrin leje qëndrimi ose shtetësinë turke. Ata jo vetëm qënuk po munden të sigurojnë dot jetesën, por rrezikojnë që të internohen nëse kthehen në Xinjiang.

Gjithashtu,Kina ka refuzuar të rinovojë pasaportat e tyre. Gradualisht, një qeveri turke që supozohej t’u ofronte atyre liri, tani po sulmon familjet ujgure duke arrestuar qindra njerëz, dhe duke koordinuar me Pekinin dëbimin e tyre.

Merrni rastin e Zinnetgul Tursun, një refugjate ujgure, familja e së cilës ishte me fat që mori statusin e rezidentin në Turqi. Dy vjet më parë, familja e saj (përfshirë 2fëmijë të vegjël) u arrestua papritur. Tursun u cilësua pa asnjë arsye zyrtare një emigrante e paligjshme nga Taxhikistani, dhe u rikthye përsëri në Kinë me fëmijët e saj.

Ky lloj trajtimi, është bërë rutinë për ujgurët në Turqi, të cilët tani jetojnë me frikën e një persekutimi të mëtejshëm. Ky persekutim po ndodh në kohën kur Turqia po distancohet gjithnjë e më shumë nga aleatët e saj të NATO-s, dhe po afrohet më shumë me Rusinë dhe Kinën. Kjo e fundit sapo ka ratifikuar një marrëveshje ekstradimi me Turqinë,të cilën ajo e quan një “partneritet kundër terrorizmit”.

Dhe në këtë qasje të re,Erdogan ka shumë aleatë. Një nga shembujt më të spikatur është Dogu Perincek, kreu i Partisë Patriotike nacionaliste të krahut të majtë, që ka ushtruar një ndikim të madh mbi marrëdhëniet Turqi-Kinë pasi u rreshtuar me Erdoganin.

Një ideolog Maoist dhe mbështetës i vendosur i Pekinit, Perincek ika krahasuar ujgurët me grupin militant kurd, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).Gjatë 2 viteve të fundit, Perincek është bërë avokati kryesor në Turqi për një aleancë më të fortë me Kinën, duke arritur deri atje sa t’i cilësojë si “imperialiste” kritikat e SHBA-së ndaj politikës së Kinës në Xinjiang.

Gjithashtu ai lavdëron rregullisht trajtimin që Pekini u bën ujgurëve. Retorika e tij ka një efekt tek Erdogan, që e sheh Perincek si një aleat të vlefshëm në forcimin e raporteve të Ankarasë me Pekinin. Por qëndrimi më miqësor i Erdogan ndaj Kinës, ka edhe arsye të tjera.

Lira turke po haste shumë vështirësi edhe para se pandemia e Covid-19 ta dobësonte industrinë e turizmit në vend. Ankaraja ka shumë nevojë për ndihmën e Kinës. Dhëndri i Erdogan, Berat Albayrak, shkoi në Kinë në vitin 2018 për të marrë 3.6 miliardë dollarë hua.

Banka Popullore e Kinës i dha 1 miliard dollarë para në dorë Ankarasë në vitin 2019, për të stabilizuar ekonominë e saj të lëkundur,ndërsa Kina u bë gjithashtu importuesja më e madhe e Turqisë vitin e kaluar.

Erdogan nuk dëshiron që ta rrezikojë këtë fluks parash me retorikën rreth ujgurëve, e cila me siguri që do të zemëronte klientët e tij kinezë. Erdogan është një politikan dinak, që shfrytëzon çdo rast për të rritur reputacionin e tij global si një mbrojtës i myslimanëve të shtypur. Ai nuk humb asnjëherë shansin për të akuzuar Izraelin, Francën apo edhe Bashkimi Evropian, si përgjegjës për tragjeditë e umetit, komunitetit mysliman nëpër botë.

Prandaj,për të duhet të jetë e vështirë që të qëndrojë gojëkyçur mbi shtypjen kineze ndaj ujgurëve. Por ai nuk mundet,pasi Pekini po i shtrëngon “zinxhirin” rreth qafës. Qeveria amerikane e ka quajtur metë drejtë një krim kundër njerëzimit, atë që Kina po u bën ujgurëve.

Vende të tjera, nga Gjermania në Kanada, kanë folur për ne.

Nga ana tjetër, udhëheqësit myslimanë po qëndrojnë të heshtur. Kryeministri pakistanez Imran Khan, është shumë i zënë me ruajtjen e statusit të vendit të tij si shteti i preferuar i Kinës. Ndërkohë, Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i ka mbrojtur kampet e përqendrimit në Kinë.

Edhe Irani, kundërshtari i vjetër i “imperializmit perëndimor”, ka heshtur duke pasur parasysh lidhjet e tij të forta me Kinën. Përvetësimi nga Turqia i këtyre “leksioneve”,e ka kthyer atë nga një vend të admiruar nga të gjithë ujgurët, në një vend ku mijëra ujgurë duan tashmë që të largohen.

Ata që kanë mbetur në Turqi, duhet që të kërkojnë azil në vende të tjera, por kjo është më lehtë të thuhet sesa të bëhet. Cilat vende do të ishin të gatshme që t’i pranonin ata? Azili mund të jetë mundësia e fundit e shumë njerëzve për t’u shpëtuar torturave dhe vdekjes. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Kuzzat Altay, është një biznesmen amerikano-ujgur, dhe president i Shoqatës së Amerikanëve Ujgurë.

Gjobitet kryeministrja e Norvegjisë, theu masat anti-Covid

Policia e Norvegjisë deklaroi se ka gjobitur Kryeministren Erna Solberg për thyerjen e rregullave të distancimit social të Covid-19, kur Read more

Çfarë e bën Dubain “Qytetin e arit”?

Për më shumë se një shekull, tregtarët kanë udhëtuar drejt Dubait në kërkim të erëzave, perlave dhe arit. Me një Read more

Leave a Reply