A do ta ndryshojnë situatën pandemike vaksinat ruse dhe ato kineze?

Nga Jörg Blech

Një numër i madh njerëzish në Gjermani dhe vendet e tjera evropiane, mezi po presin që të vaksinohen kundër Covid-19. Ndërkohë, në Serbi ndonjëherë duket e vështirë të gjesh dikë të gatshëm të vaksinohet. Tek e fundit shiringat nuk ishin të mbushura me një produkt nga kompanitë farmaceutike perëndimore, por me një vaksinë të zhvilluar nga kompania kineze Sinopharm.

Gjithsesi, Ministri serb i Shëndetësisë Zlatibor Lonçar, zgjodhi të bëhet personi i parë në vend që e mori vaksinën kineze. “Unë u binda nga dy fakte bazike. Së pari, vaksina përmbush të gjitha kriteret e sigurisë. Së dyti, është efektive”- thotë Lonçar, që është mjek në profesion.

Përfundime të ngjashme janë arritur në Turqi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Indonezi, Paraguaj, dhe një listë në rritje vendesh të tjera. Banorët e këtyre vendeve do të marrin vaksinat e Kinës ose Rusisë, pasi vaksinat nga kompanitë farmaceutike në Perëndim janë shumë të pakta në dispozicion.

Në fakt, vaksinat e BioNTech dhe Moderna, që janë provuar që të dyja se janë shumë efektive në studimet klinike, janë shitur që të gjitha, ndërsa produkti i zhvilluar nga AstraZeneca, është treguar si më pak efektiv. Megjithatë, Rusia shpreson që ta shpërndajë vaksinën e saj në 50 vende, dhe po planifikon të hapë njësi të prodhimit të vaksinës Sputnik në Indi, Brazil dhe Korenë e Jugut.

Ndërkohë, prodhuesit kinezë të Sinopharm dhe Sinovac, kanë nënshkruar kontrata me të paktën 24 vende, dhe tashmë kanë nisur të eksportojnë vaksinat e tyre në disa prej tyre.

Serbia është në pozicionin unik të blerjes së vaksinave ndaj cilitdo burim që është i disponueshëm.

“Unë mund t’ju them se të gjitha vaksinat e përdorura në vendin tonë, kineze, ruse, gjermano-amerikane, përfaqësojnë rrugën dhe mjetin tonë të vetëm për ta mposhtur koronavirusin dhe për ta vënë atë nën kontroll. Ne nuk duhet të shohim nga vijnë vaksinat, por cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e tyre”-thotë Ministri serb i Shëndetësisë Zlatibor Lonçar.

Por vaksinat nga Kina dhe Rusia nuk kanë marrë ende miratimin nga të gjitha autoritetet rregullore. Ata mund të jenë tashmë në treg, por nuk i janë nënshtruar llojit të testeve klinike që kanë standartet në Perëndim. Ato janë testuar me gjasë tek njerëzit në kushte të dyshimta, vetëm duke shpresuar se do të funksiononin.

Instituti Shtetëror i Kërkimit i Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë Gamaleja në Rusi, e paraqiti vaksinën e saj që në gushtin e vitit 2020. Ajo quhet Sputnik V, sipas emrit të satelitit që Bashkimi Sovjetik lëshoi në orbitë 60 vjet më parë.

Zhvillimi i vaksinës u financua nga Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF), fondi shtetëror i investimeve që tanimë është përgjegjës për tregtimin e vaksinës. “Ne e kuptuam se do të kishte shumë skepticizëm dhe rezistencë ndaj vaksinës ruse dhe kjo për arsye konkurruese. Prandaj, vendosëm t’i vinim një emër rus të njohur ndërkombëtarisht”- tha për revistën “The Lancet” kreu ekzekutiv i RDIF Kirill Dimitriev.

Në dallim nga produktet mjaft efektive por tepër delikate të BioNTech dhe Moderna, vaksina Sputnik nuk ka nevojë të ruhet në temperatura jashtëzakonisht të ulëta. Ajo mbetet efektive edhe nëse ruhet në temperaturën 2-8 gradë Celsius, gjë që e bën shumë më të lehtë transportin.

Ajo tashmë është marrë nga 1.5 milion njerëz në Rusi. RDIF këmbëngul se vaksina është efektive. “Efikasiteti i vaksinës Sputnik V është 91.4 për qind, bazuar në analizën e të dhënave të testeve klinike. Ndërkohë efikasiteti kundër rasteve të rënda të koronavirusit është 100 për qind”- thuhet në faqen e internetit të çelur enkas për vaksinën.

Vaksina ruse mbështetet mbi një adenovirus të padëmshëm. Kjo është një teknologji e testuar dhe e njohur si një vaksinë vektoriale. Por trupi mund të bëhet imun ndaj këtij virusi, sidomos në rastet kur janë të nevojshme doza shtesë. Dhe kjo mund t`a bëjë vaksinën ruse joefektive me kalimin e kohës.

Në janar, Instituti Gamaleja diskutoi mbi vaksinën me ekspertë nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA). Sipas një zëdhënësi të EMA-s, mbetet e paqartë nëse rusët synojnë të aplikojnë për marrjen e autorizimit për përdorimin zyrtar të vaksinës në BE.

Tek e fundit, biznesi po ecën mirë edhe pa të. Argjentina, Bolivia, Brazili, Paraguai, Venezuela dhe Algjeria, kanë nisur tashmë vaksinimin e popullatës me vaksinën ruse. Hungaria ishte vendi i parë i BE-së që porositi Sputnik V, plot 2 milion doza.

Mediat shtetërore në Kinë, kanë nisur një fushatë që synon të hedhë dyshime mbi sigurinë e vaksinave perëndimore. Gazetarët kanë pohuar se zyrtarët në Perëndim kanë refuzuar të hetonin shkaqet e vdekjes së disa njerëzve që kishin marrë vaksinën BioNTech/Pfizer.

Por Instituti Paul Ehrlih, organi rregullator mjekësor i Gjermanisë, i shqyrtoi rastet dhe nuk gjeti asnjë arsye për t`a vënë në dyshim vaksinën. Ai tha se vaksina po u jepet dhjetëra mijëra të moshuarve që tashmë vuajnë nga sëmundje kronike, ndaj nuk është për t’u habitur që disa prej tyre mund të ndërrojnë rastësisht jetëgjatë kohës së marrjes së vaksinës.

Fushata është qartazi një përpjekje e Kinës për të tërhequr vëmendjen nga problemet me vaksinat e saj. Deri në nëntor 2020, gati 1 milion njerëz në Kinë ishin vaksinuar pa pritur për rezultatet e testeve të Fazës III. Një ekip i OBSH-së ka mbërritur tashmë në Kinë për të vizituar objektet e prodhimit të Sinovac dhe Sinopharm.

Kompanitë kanë paraqitur të dhëna mbi testet e tyre dhe shpresojnë në miratimin urgjent të OBSH-së për vaksinat e tyre. Por ky vendim nuk ka të ngjarë të merret para mesit të marsit. Gjithsesi një vlerësim pozitiv për to,do të kishte pasoja të mëdha. Kinezët më në fund do të ishin të besueshëm dhe mund të nisin t’i dorëzojnë vaksinat e tyre COVAX, nismës ndërkombëtare që synon të blejë vaksinat për t’i shpërndarë ato në vendet e varfra.

Sipas vlerësimeve, për t’i dhënë fund pandemisë duhet 10-11 miliardë doza vaksinash në të gjithë botën. Prodhuesve do t’u duhet të punojnë deri në vitin 2023 ose 2024 për të prodhuar një vëllim kaq të madh. Dhe për t`a arritur këtë synim, do të nevojiten vaksina nga të gjitha vendet, për sa kohë që të dhënat provojnë në mënyrë transparente sigurinë e tyre. /

“Der Spiegel’ – Bota.al

Leave a Reply