Antony Blinken, dora e djathtë e presidentit amerikan dhe lidhje e tij me shqiptarët

Ministri i ri amerikan i punëve të Jashtme ka një histori familjare që përfshinë pothuaj krejt dramat e shekullit 20-të dhe nga këto drama buron bindja e tij se bota nuk ecën mbarë nëse Amerika qëndron anash. Blinken, përkrahës i çlirimit të Kosovës nga terrori serb, i përket atyre zyrtarëve amerikanë që Europën e shohin si pjesë të pandashme të idesë përparimtare dhe çlirimtare perëndimore. Por Blinken dhe shefi i tij Joe Biden kanë një problem – me Gjermaninë.

Nga Enver Robelli

Sapo mori postin e ministrit të Jashtëm amerikan, Antony Blinken telefonoi me ministrin e Jashtëm francez. Bisedën e zhvilloi në frëngjishte pothuaj pa aksent. Arsyeja përse Blinken flet shkëlqyeshëm frëngjisht është e ndërlikuar – ose mbase jo. Sidoqoftë, është histori interesante familjare. Babai i Blinken, Donald Blinken, ka qenë bankier në New York dhe në vitet 90-të ambasador i SHBA-ve në Hungari. E ëma e Antony Blinken ishte koleksioniste e veprave të artit në New York. Më 1968 Judith Blinken gjatë një ndeje e njoftoi Samuel Pisarin. Një njohje që la gjurmë. Judith Blinken u dashurua në Samuel Pisarin. Më 1971 Judith u nda nga Donald Blinken dhe bashkë me të birin e saj, Antony Blinken, shkoi në Paris për të bashkëjetuar me Samuel Pisarin.

Kush ishte Samuel Pisar, njerku i Antony Blinken? I mbijetuar i Holokaustit, me prindër hebraikë nga Lituania. Më 1945, siç shkruan revista gjermane “Der Spiegel”, ai u fsheh në kashtë në një pleme në Bavari. Ishin ditët e fundit të nazizmit, ditët e fundit të Adolf Hitlerit. Pisar mbijetoi kampet e shfarosjes sepse gjermanëve u duhej fuqi punonjëse. Në një ditë prilli të vitit 1945 Pisar dëgjoi zhurmën e një tanku. Doli nga kashta dhe kur e pa tankun, nisi të kërkojë me sy kryqin e “Wehrmachtit”, ushtrisë gjermane. Por në tank shkëlqente një yll pesëcepësh: simboli i ushtrisë amerikane. Pisar vrapoi drejt tankut dhe u takua me një tankist zezak nga Amerika. “Rashë në gjunjë para atij njeriu dhe i thashë të vetmet fjalë në anglisht, që më kujtoheshin nga nëna ime: ‘God bless America’”, ka shkruar Pisar në kujtimet e tij.

Antony Blinken është rritur me këto rrëfime. Ndërhyrjen e Amerikës në Ballkan, sulmet kundër forcave serbe në Bosnjë dhe çlirimin e Kosovës nga zgjedha e Beogradit ai i konsideron si sukses të politikës amerikane. Mbi 20 vjet Antony Blinken ka qenë afër Joe Bidenit, në funksione të ndryshme. Ai është njëri prej bashkëpunëtorëve më të besueshëm të Bidenit.

Samuel Pisar, njerku i Antony Blinken, vdiq më 2015 pas një karriere spektakulare. Studioi në Mel­bourne und Pa­ris, ishte këshilltar i John F. Kennedyit, themeloi një zyrë avokature në Hollywood dhe Paris. Ishte avokat i Elizabeth Taylor dhe Catherine Deneuve.

Para dy vitesh Blinken botoi një artikull në “Washington Post” bashkë me Robert Kagan, njërin prej kryemendimtarëve të politikës së jashtme amerikane, një intervencionist i regjur. Në artikull Blinken dhe Kagan shkruajnë: “E kemi dëbuar Sadam Huseinin nga Kuvajti dhe e kemi rrëzuar nga pushteti një baron droge që ishte vendosur në krye të Panamasë; me humbje minimale jemi kujdesur për paqen në Ballkan dhe e kemi vrarë Osama Bin Ladenin”. Në foton historike ku shihen Barack Obama, Joe Biden dhe Hillary Clinton duke përcjellë direkt ndërhyrjen e forcave amerikane në Pakistan për të vrarë Bin Ladenin, aty është edhe Antony Blinken.

Kagan beson se europianët nuk janë në gjendje të bëhen fuqi që vendos rend në botë. Nëse këtë nuk e bën Amerika, botës si kërcënohet kaosi, mendon Kagan, gruaja e të cilit Victoria Nuland tani është emëruar përgjegjëse për planifikim politik në State Departement. Në tekstin e botuar në “Washington Post” Kagan dhe Blinken theksojnë se nuk mjafton vetëm gjuha e diplomatëve amerikanë. “Vetëm fjalët nuk do t’u lënë përshtypje Vladimir Putinëve dhe Shi Xhinpingëve të kësaj bote”, shkruajnë ata.

Antony Blinken do të jetë më i përzemërt ndaj europianëve. Por problemet mbesin. Dhe Amerika ka një problem me sjelljet e Gjermanisë, sidomos. Disa media gjermane shprehën shqetësimin për shkak se Joe Biden pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë nuk i telefonoi menjëherë Angela Merkelit. Biden foli së pari me kryeministrin britanik dhe me presidentin francez. Tek pastaj i erdhi radha Angela Merkelit.

Amerikanët janë të zemëruar që Gjermania si kryesuese e BE-së (deri më 31 dhjetor 2020) negocioi një marrëveshje tregtare mes BE-së dhe Kinës. Sipas “Der Spiegel” në ekipin e Bidenit kjo sjellje e Gjermanisë konsiderohet “turp”, sepse kështu është minuar shansi për një qëndrim të përbashkët kundër Kinës. Një problem tjetër është gazsjellësi ruso-gjerman “Nord Stream 2”. Siç shkruan “Der Spiegel”, Joe Biden nuk ka fare mirëkuptim që gjermanët “ia mbushin gushën Putinit me miliarda” ndërsa shefi i Kremlinit me gjasë së pari e helmoi rivalin e tij kryesor Aleksej Navalni, pastaj e syrgjynosi në burg. Senati amerikan ka vendosur tashmë sanksione për të penguar ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”.

Kancelarja Angela Merkel e ka trashëguar projektin e gazsjellësit. Marrëveshjen për gazsjellës e ka nënshkruar kancelari Gerhard Schröder pak para se të largohej nga posti. Pastaj Schröder është bërë argat i Vladimir Putinit në këtë projekt. Një shembull ky në mos i korrupsionit gjithsesi i argatisë me duhmë të rëndë. Por Merkel nuk ka hequr dorë nga projekti. Dhe për këtë po kritikohet gjithnjë e më shumë nga mediat gjermane. “Süddeutsche Zeitung” shkruan: “Kancelarja është dashur ta dijë: gazsjellësi e forcon Putinin, i zemëron SHBA-të dhe e bën jokredibile politikën e Gjermanisë ndaj Rusisë. Kësisoj projekti që tani është një rrënoje investimesh”. Edhe më i ashpër është shefi i politikës së jashtme të “Der Spiegel”, Mathieu von Rohr, i cili thekson se gazsjellësi “Nord Stream 2” është një projekt kundër Europës dhe e dëmton Gjermaninë. “Ndërtimi duhet të ndalet”. Mathieu von Rohr, gazetar zviceran që ka bërë karrierë në Gjermani, ishte ndër të vetmit që i bëri publike disa deklarata problematike të kryetarit të ri të CDU-së, Armin Laschet. CDU është partia e kancelares Merkel. Laschet në të kaluarën ka shfaqur deri diku mirëkuptim për Vladimir Putinin dhe Bashar Al-Asadin. Pas zgjedhjes në postin e kryetarit të CDU-së është munduar t’i relativizojë deklaratat e tij. Sidoqoftë, Antony Blinken do të ketë punë me politikanë të tillë gjermanë dhe jo me Angela Merkelin, e cila së paku nuk është naive ndaj Rusisë.

Përtej këtyre temave globale mbetet të shihet nëse Antony Blinken do të tregojë mirëkuptim ndaj Serbisë së Aleksandar Vuçiqit siç ka treguar qeveria gjermane. Diplomate gjermane të rangut të lartë nuk kanë kurrfarë skrupulli për të përshëndetur qeverinë e re serbe, e cila doli nga zgjedhjet që i bojkotoi opozita. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas është një diplomat i kalibrit mesatar që më shumë zgjon vëmendjen e publikut gjerman me kostume të ngushta se sa me ide të mëdha.

Leave a Reply