Dhoma e Përfaqësuesve ngre zyrtarisht akuza kundër Presidentit Trump

Dhoma e Përfaqësuesve votoi për të ngritur zyrtarisht akuzat kundër Presidentit Donald Trump.

Rezoluta për ngritjen e akuzave u miratua me 232 vota pro dhe 197 kundër.

Vota në Dhomën e Përfaqësueve, vetëm një javë para se të mbarojë mandati i Presidentit Trump, shënoi të parën herë në historinë e Shteteve të Bashkuara kur ndaj një presidenti janë ngritur dy herë akuza për shkarkim të mundshëm, këtë here për nxitje dhune lidhur me sulmin në Kapitol.

Ndërsa republikanët votuan në bllok kundër ngritjes së akuzave për shkarkim të Presidentit Trump vitin e kaluar, nën akuzën për presion ndaj Ukrainës për të hetuar demokratin Joe Biden, tashmë president i zgjedhur, udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve këtë radhë kishin sinjalizuar se nuk do t’u bënin presion anëtarëve të tyre për të votuar kundër përpjekjeve për shkarkim.

Demokratëve që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësueve iu bashkuan edhe 10 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, duke mbështetur përpjekjet për të shkarkuar presidentin.

Ndërsa vazhdonin komentet në Dhomën e Përfaqësuesve, Presidenti Donald Trump bëri thirrje për shmangien e akteve të dhunës. Përmes një deklarate të nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti thotë se “i nxitur nga njoftimet për demonstrata të reja, bëj thirrje: JO dhunë, JO thyerje ligji, JO vandalizëm i asnjë forme. Amerika nuk mishëron akte të tilla. U bëj thirrje Të Gjithë amerikanëve të ndihmojnë që të qetësojmë gjakrat dhe të ulim tensionet. Faleminderit”.

Miratimi i rezolutës për ngritjen e akuzave pasoi një sesion komentesh nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që u karakterizua nga deklarata pro dhe kundër procesit të ndara përgjithësisht në linja partiake.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e quajti presidentin një kërcënim “ndaj lirisë, vetë-qeverisjes dhe sundimit të ligjit”. Por një aleat i fortë i presidentit, ligjvënësi republikan nga Ohajo, Jim Jordan tha se ngritja e akuzave kundër presidentit “nuk do të bashkojë vendin. Ky është thjesht një akt politik”. Demokratët, tha zoti Jordan, “duan ta shuajnë këtë president”.

Ligjvënësi demokrat Steny Hoyer tha të mërkurën se presidenti “solli turp dhe kaos në presidencë” dhe e shndërroi në “armë urrejtjen”. Ligjvënësi republikan Tom Cole u shpreh kundër ngritjes së akuzave në ditët e fundit të presidencës Trump. “Nuk gjej dot asnjë shembull tjetër që mund të shkaktojë përçarje më të thella se sa ky akt që ka ndërmarrë shumica e Dhomës. Në vend që të përgatitemi për administratën e ardhshme, shumica e Dhomës ka vendosur të lajë hesapet me administratën ekzistuese”.

Ligjvënësi republikan Jason Smith tha: “Të vëmë popullin mbi politikën. Ky proces për ngritje akuzash është i papërgjegjshëm”.

Ligjvënësja Liz Cheney, numri tre ndër ligjvënësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe një ndër republikanët që mbështetën ngritjen e akuzave, tha se “kurrë më parë nga ana e një presidenti nuk ka patur një tradhëti më të madhe”.

Mes republikanëve të tjerë që thanë se do të votonin për ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e zotit Trump ishin ligjvënësit John Katko, Jaime Herrera Beutler, Adam Kinzinger, Dan Newhouse, Fred Upton dhe Kelly Armstrong.

Ligjvënësja Jaime Herrera Beutler kishte njoftuar të martën në mbrëmje se do të votojë pro ngritjes së akuzave. Ajo u shpreh nëpërmjet një deklarate se zoti Trump “veproi kundër betimit që ka bërë si president”.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara nxiti protesta të dhunshme që synonin të ndalonin transferimin paqësor të pushtetit nga një administratë në tjetrën”, tha Herrera Beutler.

Më parë, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, një aleat i ngushtë i zotit Trump, kishte paralajmëruar se “ngritja e akuzave për shkarkimin e zotit Trump gjatë kësaj periudhe do të kishte efektin e kundërt ndërsa vendi është i përçarë”.

Zoti Trump kishte përcjellë një mesazh të ngjashëm gjatë një vizite në kufirin SHBA-Meksikë të martën.

“Po shkakton zemërim e ndasi të jashtëzakonshme si dhe dhimbje shumë më të mëdha sesa shumica e njerëzve mund të kuptojnë, gjë që është shumë e rrezikshme për SHBA-në, veçanërisht në këtë kohë të brishtë”, tha zoti Trump.

Ai foli për “paqe e qetësi” dhe tha se tashmë është “koha për ligj e rend”.

Presidenti Trump, i cili në një video javën e kaluar i tha turmës së mbështetësve të tij; “ne ju duam, ju jeni shumë të veçantë”, nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Tani çështja kalon për gjykim në Senat, gjë që ka shumë të ngjarë të ndodhë pasi të ketë mbaruar mandati i Presidentit Trump. Rezultati i procesit në Senat është i paqartë, por nëse zoti Trump shpallet fajtor, Senati mund të votojë më pas për t’i ndaluar mundësinë për të mbajtur post federal.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, republikani Mitch McConnell tha të mërkurën se “nuk kam marrë një vendim përfundimtar se si do të votoj”. Përmes një komunikate, drejtuar kolegëve republikanë, zoti McConnell thoshte se do të dëgjonte argumentet ligjore në Senat pas votës në Dhomën e Përfaqësuesve. Pasazhe të komunikatës iu lexuan gazetarëve nga një ndihmës i zotit McConnell.

Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi njoftoi të martën vonë se kishte zgjedhur ligjvënësin Jamie Raskin për të udhëhequr një grup ligjvënësish që do të paraqesin çështjen në Senat.

“Është detyra e tyre kushtetuese dhe patriotike të paraqesin çështjen për shkarkimin e Presidentit”, tha zonja Pelosi në një deklaratë. “Ata do ta bëjnë këtë të udhëhequr nga dashuria e madhe për vendin, vendosmëria për të mbrojtur demokracinë tonë dhe besnikëria ndaj Kushtetutës. Ata do të nderojnë detyrën e tyre për të mbrojtur demokracinë për popullin me shumë solemnitet dhe urgjencë”.

Nuk është e qartë nëse udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve do t’i dërgojnë menjëherë akuzat për shqyrtim në Senat, duke pasur parasysh se mandati i zotit Trump përfundon javën e ardhshme. Edhe nëse zoti Trump do të largohej nga detyra, një vendim i Senatit pro akuzave pas përfundimit të mandatit, do ta ndalonte atë të kandidonte për një post zyrtar në qeverinë federale në të ardhmen.

Të martën vonë Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë nëpërmjet së cilës i kërkohej Nënpresidentit Mike Pence dhe anëtarëve të Kabinetit të zotit Trump të përdorin autoritetin që i jep Kushtetuta duke larguar zotin Trump nga detyra për paaftësi.

Votimi përfundoi me 223 vota pro dhe 205 kundër rezolutës dhe ishte pothuajse tërësisht në linja partiake.

Përpara votimit të rezolutës të martën, zoti Pence i dërgoi një letër zonjës Pelosi duke shpjeguar se ai nuk do të merrte veprime bazuar në Amendamentit 25-të të Kushtetutës së SHBA, sipas të cilit nënpresidenti dhe shumica e anëtarëve të kabinetit deklarojnë një president të paaftë duke e shkarkuar atë nga detyra.

Leave a Reply