50 kompanitë më të mëdha të Kosovës që gjenerojnë miliona euro

Cilat janë kompanitë më të mëdha në Kosovë, sipas qarkullimit vjetor dhe ato me fitime më të mëdha për vitin 2019. Si krahasohet ekonomia e Kosovës me atë të Shqipërisë dhe si po ecin sipërmarrjet shqiptare që kanë investuar në Kosovë.
Ecuria e bankave dhe e shoqërive të sigurimit. “Monitor”, për herë të parë, publikon një analizë të ekonomisë së Kosovës, e shoqëruar me intervistat e drejtuesve të sipërmarrjeve më të mëdha. 

 

Nga Ersuin Shehu

Lista e bizneseve më të mëdha për nga qarkullimi në Kosovë dëshmon një ekonomi që mbështetet kryesisht te tregtia dhe shërbimet. Numri më i madh i bizneseve me qarkullim të lartë i takon tregtisë me shumicë dhe pakicë, tregtisë së karburanteve dhe shërbimeve bankare. Ndërmarrjet më të mëdha prodhuese janë ato të zinxhirit të prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike.

 

1.Elkos

Kompania më e madhe në Kosovë për nga qarkullimi, vitin e kaluar, ishte Elkos sh.p.k. Kjo ndërmarrje ka aktivitet kryesor importin dhe shpërndarjen e produkteve të konsumit në tregun e Kosovës, nëpërmjet kontratave ekskluzive me prodhuesit e këtyre mallrave.

Sipas informacionit të kompanisë, Elkos është distributor i autorizuar për rreth 90 marka ndërkombëtare, të grupeve Henkel, Mondelez, MasterFoods, Dannone, Campina, Pfanner, etj. Kompania është themeluar në vitin 1989 dhe ka pronar të vetëm, biznesmenin nga Kosova, Ramiz Kelmendi. Sipas të dhënave të dërguara nga vetë kompania, për vitin 2019, Elkos raportoi një xhiro në vlerën e 244 milionë eurove, në rënie me 3% krahasuar me vitin 2018.

Në një intervistë për revistën “Monitor”, pronari dhe administratori i kompanisë, Ramiz Kelmendi, thotë se në vitin 2019, aktiviteti i kompanisë u ndikua negativisht nga taksa 100% mbi mallrat serbe, megjithatë, sipas tij, shumica e artikujve u arritën të zëvendësoheshin nëpërmjet importit nga tregje të tjera. Të tjerë faktorë me ndikim negativ në aktivitet, sipas z. Kelmendi, kanë qenë mungesa e burimeve të specializuara njerëzore, sidomos në nivel menaxherial, limitet e kreditimit nga bankat tregtare dhe burokracitë e vonesat e shumta në marrjen e lejeve të ndërtimit.

Në projeksionet e veta, Elkos pret që pandemia të japë efekt të konsiderueshëm në bilancin e kompanisë, me një reduktim të xhiros me mbi 9% për vitin 2020. Megjithatë, për vitin 2021, projeksionet janë optimiste dhe kompania pret një kthim të qarkullimit pranë nivelit të vitit 2019.

 

2.KEK

Ndërmarrja e dytë për nga qarkullimi, vitin e kaluar, ishte Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). KEK raportoi një xhiro vjetore në vlerën e 185 milionë eurove, në rritje me 13% krahasuar me vitin pararendës. Burimi kryesor i të ardhurave të KEK është shitja e energjisë që prodhohet nga dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B.

Dy termocentralet operojnë me qymyr (linjit), që prodhohet nga një divizion i veçantë i kompanisë. KEK është gjithashtu një nga eksportuesit më të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Për vitin 2019, KEK eksportoi energji, në vlerën e 32.5 milionë eurove, shumë kjo që përbën mbi 18% të shitjeve të kompanisë.

Prej vitit 2014, KEK është partner në projektin e Kogjenerimit, përmes të cilit, avulli i prodhuar në termocentralin Kosova B shërben si lëndë e parë për kompaninë Termokos, që mbulon shërbimin e ngrohjes qendrore me kaldaja për qytetin e Prishtinës. KEK është kompani në pronësi shtetërore dhe 100% e aksioneve zotërohen nga Republika e Kosovës.

 

3.Viva Fresh

Mbështetur në renditjen e administratës tatimore të Kosovës, Viva Fresh ishte ndërmarrja e tretë më e madhe në vend për nga vlera e qarkullimit vjetor. Megjithatë, pasqyrat financiare të vitit 2019 nuk janë ende publike dhe kompania nuk iu përgjigj kërkesës së revistës “Monitor” për të na i vënë në dispozicion.

Për vitin 2018, Viva Fresh kishte raportuar xhiro në vlerën e rreth 177 milionë eurove. Aktiviteti kryesor i Viva Fresh janë shitjet me pakicë, nëpërmjet rrjetit të marketeve me të njëjtin emër. Viva Fresh është kompani me kapital vendas dhe 100% e aksioneve zotërohen nga biznesmeni Xhevdet Rexhepi.

 

4.HIB Petrol

Kompania HIB Petrol u rendit e treta për vitin e kaluar, me një qarkullim vjetor prej pothuajse 158 milionë eurosh. Xhiroja e HIB Petrol pësoi rënie të ndjeshme me 21% krahasuar me vitin 2018. Aktiviteti bazë i kompanisë është tregtimi me shumicë dhe pakicë i lëndëve djegëse, por në të përfshihen edhe aktiviteti i hotelerisë dhe restoranteve, si dhe marketeve të bashkangjitura me stacionet e karburanteve.

Mes të tjerash, kompania ka në pronësi hotelin “Emerald” në Prishtinë. Aktiviteti dytësor siguron rreth 15% të shitjeve të kompanisë. Në fund të vitit 2019, kompania raportonte 1157 persona të punësuar. HIB Petrol është kompani me kapital privat dhe 100% e aksioneve zotërohen nga biznesmeni nga Kosova, Ibrahim Bucaliu.

 

5.KESCO

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), gjatë vitit 2019, raportoi qarkullim në vlerën e rreth 141 milionë euro. Krahasuar me vitin 2018, xhiroja e kompanisë pësoi rënie me pothuajse 24%. Arsyeja kryesore për rënien e të hyrave krahasuar me vitin 2018 është ndryshimi në tarifat e furnizimit, të prezantuara nga Enti Rregullator, në vitin 2019. KESCO furnizon me energji mbi 400 mijë konsumatorë familjarë, tregtarë dhe industrialë.

KESCO është njëkohësisht kompania e parë me kapital në huaj në renditjen e bizneseve më të mëdha sipas xhiros. Aksionet e kompanisë kontrollohen në masën 100% nga konsorciumi Çalik Limak Energy sh.a, i përbërë nga dy investitorë të mëdhenj turq, Çalik Holding dhe Limak Holding. Në vitin 2012, konsorciumi fitoi tenderin për privatizimin e Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

Sipas kërkesave ligjore për ndarjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Licencës për Furnizim me Energji Elektrike, në vitin 2015 u themelua kompania KESCO. Pas ndarjes, asetet dhe kontratat e lidhura drejtpërdrejt me biznesin e furnizimit me energji elektrike u transferuan nga KEDS në KESCO. Një proces i ngjashëm në vitet e fundit po ndiqet edhe në Shqipëri me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Në fund të vitit 2019, KESCO raportonte 211 të punësuar.

 

6.Proex

Proex u rendit kompania e gjashtë për nga vlera e xhiros gjatë vitit 2019 në Kosovë, me të ardhura totale të deklaruara në vlerën e 118.2 milionë eurove. Krahasuar me vitin 2018, të ardhurat e Proex janë rritur me 26%.

Proex ka aktivitet kryesor shitjet me pakicë dhe shumicë në tregun e brendshëm dhe njihet kryesisht nëpërmjet markës së supermarketeve Interex. Rritja e qarkullimit ka ardhur kryesisht nga rritja e shitjeve në segmentin dominues të shitjeve me pakicë. Në fund të vitit 2019, Proex kishte 1329 të punësuar.  Proex është kompani me kapital vendas dhe ka aksioner të vetëm shoqërinë CDI – Kosovo; ortakë të CDI Kosovo janë Shaip Mikullovci me 93% të aksioneve dhe Ylber Kuraja, me 9% të aksioneve.

 

7.KEDS

Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) për vitin 2019 raportoi shitje totale në vlerën e pothuajse 113 milionë eurove, në rritje me 21% krahasuar me vitin 2018. Pas ndarjes së shërbimeve të furnizimit me energji dhe transferimit të tyre te KESCO, në vitin 2015, KEDS vepron si operator i shpërndarjes së energjisë elektrike.

Në fund të vitit 2019, KEDS kishte 1928 të punësuar. Kapitali aksioner i KEDS kontrollohet në masën 100% nga konsorciumi turk, Çalik Limak Energy sh.a.

 

8.BUÇAJ

Mbështetur në renditjen e ofruar nga Administrata Tatimore e Kosovës, shoqëria Buçaj renditej në vendin e tetë për nga xhiroja në vitin 2019. Megjithatë, pasqyrat financiare të kompanisë nuk janë bërë ende publike. Kompania e refuzoi kërkesën e përcjellë nga revista “Monitor” për të na dhënë akses në pasqyrat financiare të vitit 2019 ose të paktën, në treguesit kryesorë të aktivitetit.

Për vitin 2018, Buçaj pati raportuar shitje totale në vlerën e rreth 91 milionë eurove. Aktiviteti kryesor i kompanisë është importi dhe distribucioni i produkteve të konsumit dhe atyre farmaceutike. Portofoli i Buçaj përfshin mallra të kompanive si Atlantic, Reckitt Benckiser, Chipita, Abbot, etj. Buçaj sh.p.k. është ndërmarrje me kapital vendas dhe 100% e aksioneve zotërohen nga biznesmeni Fatmir Krasniqi.

 

9.EX-Fis

Ex-Fis është kompania e fundit mes më të mëdhave në Kosovë që, për vitin 2019 raportoi një qarkullim vjetor sipër kufirit të 100 milionë eurove. Duke iu referuar pasqyrave të audituara financiare të kompanisë, xhiroja për vitin 2019 kishte vlerën e 100.2 milionë eurove, në rritje me 8.7% krahasuar me vitin 2018.

Aktiviteti kryesor i shoqërisë është shitja me shumicë dhe pakicë e nënprodukteve të naftës. Sipas bilancit të kompanisë, pjesa dërrmuese e të ardhurave të vitit 2019 erdhën nga shitja e karburanteve. Gjithashtu, kompania ofron edhe produkte për asfaltimin e rrugëve.

EX-Fis është kompani me kapital vendas dhe 100% e aksioneve zotërohen nga biznesmeni Isa Muharremi. Në fund të vitit 2019, kompania deklaroi 296 punonjës.

 

10.Al-Petrol

Kompania tjetër e sektorit të karburanteve, Al-Petrol, u rendit e dhjeta në Kosovë për nga vlera e qarkullimit vjetor në vitin 2019. Al-Petrol raportoi shitje në vlerën e 91.6 milionë eurove, në rënie me 11.4% krahasuar me një vit më parë. Burimi kryesor i të ardhurave është shitja me shumicë dhe pakicë e karburanteve, ndërsa një pjesë më e vogël vijnë nga aktiviteti i marketeve, restoranteve dhe hoteleve. Në fund të vitit 2019, kompania deklaroi 950 punëtorë. Edhe AL-Petrol është kompani me kapital vendas. Aksionet zotërohen në masën 100% nga biznesmeni Latif Kryeziu.

 

 

INTERVISTA

 

Bizneset në Kosovë përballen me burokraci dhe korrupsion

 

Intervistë me kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini

 

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka folur për “Monitor”, lidhur me problemet me të cilat përballen bizneset dhe kompanitë në Kosovë. Ai thotë se bizneset, më së shumti, përballen me burokraci dhe korrupsion.

Sipas tij, fuqizimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë përparësi për të përmirësuar klimën e të bërit biznes në Kosovë. Shahini shprehet se humbjet nga pandemia për bizneset në Kosovë, deri tani, kanë qenë mjaft të mëdha.

 

A ofron, sipas jush, Kosova hapësirë dhe kushte të mjaftueshme për bizneset dhe kompanitë dhe me çfarë problemesh përballen ato më së shumti?

Kosova ka legjislacionin më të lehtë dhe më të avancuar sa i përket regjistrimit të bizneseve, sepse brenda ditës mund të regjistrosh një biznes, të marrësh certifikatën dhe të fillosh punën. Por, nga ai moment e më tutje, biznesi fillon të ballafaqohet me ngarkesa të ndryshme tatimore, por edhe me vështirësi për të marrë licenca dhe leje, për të cilat disa biznese presin me vite. Këto shoqërohen me burokraci dhe korrupsion, për të cilat bizneset kanë raportuar vazhdimisht.

 

A e ka Kosova modelin ekonomik të mirë dhe çfarë duhet të ndryshojë?

Kosova zotëron modelin dhe legjislacionin më të avancuar në Ballkanin Perëndimor, por zbatimi i tyre është një ndër problemet më të mëdha që e kanë identifikuar, si faktori i brendshëm, edhe i jashtëm. Për këtë arsye, fuqizimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioritet për modelin ekonomik të Kosovës.

 

Sipas jush, cilët janë sektorët që mbështesin më së shumti rritjen e ekonomisë dhe punësimit në Kosovë?

Natyrisht që rritja ekonomike është nga shërbimet e ndryshme si prodhimi, tregtia, ndërtimi dhe të gjithë këta janë sektorë që identifikohen me rritje më të lartë ekonomike, por në këtë vit, kanë vështirësi për shkak të pandemisë.

 

Prej disa muajsh jemi duke u përballur me pandeminë e COVID-19. Sipas jush, sa e ka dëmtuar ekonominë e Kosovës kjo situatë?

Pandemia ka ndikuar shumë në ekonominë e Kosovës. Ka pasur humbje të mëdha. Në muajin prill, AKB ka dhënë rekomandime se qeverisë i duhen mbështetje për fondin mbështetës për bizneset. Atëherë kemi thënë se duhen së paku 500 milionë dhe për të mbajtur konsumin aktiv dhe humbja mund të jetë 1 miliard. Fatkeqësisht, atëherë nuk u morën seriozisht, por edhe për fat të keq, shënimet tona dolën të sakta.

 

Sa do t’i duhet Kosovës dhe ekonomisë së vendit që të kthehet në gjendje normale?

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike tash e pesë muaj nuk po kalon dhe më shumë se shtatë herë ka dalë në votim në lexim të parë. E nëse vazhdon kështu, Kosovës do t’i duhen më shumë vite se vendeve të tjera të cilat kanë parashikuar lehtësi për bizneset e ndryshme. Kosova gjithashtu është vendi me më pak fonde, për shkak të mungesës së ligjeve. Në kushte normale do t’i duheshin dy vjet, por në këtë situatë do të jenë më shumë se dy vjet.

Intervistoi: Fatos Shala

 

 

INTERVISTA

 

Sfidat e pandemisë për biznesin e mallrave të konsumit

 

Intervistë me Ramiz Kelmendin, drejtor i përgjithshëm i Elkos Group 

 

Ramiz Kelmendi, pronar dhe drejtor i përgjithshëm i kompanisë Elkos, thotë për revistën “Monitor” se pandemia ka shtruar sfida të reja për biznesin e tregtisë së mallrave të konsumit.

Ai thotë se në kushtet e reja është vështirësuar dukshëm komunikimi, takimet e rregullta me klientët, hulumtimi i tregjeve të reja dhe përcjellja e tendencave të shitjes.

Sipas tij, hezitimi i konsumatorëve për blerje të artikujve, frika dhe pasiguria për të ardhmen dhe demotivimi për investime të reja, të gjitha këto reflektohen në ulje të shitjeve.

 

Si ka qenë viti 2019 për kompaninë tuaj?

Viti afarist 2019 për kompaninë tonë “ELKOS Group” mund të themi që ka qenë vit i sukseseve në vazhdimësi, që nga paslufta e deri më tani. Kompania ka realizuar 243.9 milionë euro qarkullim pa TVSh dhe një marzh bruto prej 43,66 milionë eurosh. Kjo është arritur në bazë të angazhimeve tona si staf me përvojë 30-vjeçare, si në tirazhin e shitjes me pakicë (25 markete) ashtu edhe me shumicë; 3 depo Logjistike dhe 6 filiale, si dhe një qendër grumbulluese agrare, me një numër mesatar të të punësuarve prej 2 mijë e 625 punëtorë.

Kompania ka në pronësi të vetën rreth 230 mijë m² sipërfaqe dhe objekte që shfrytëzon për afarizëm, magazina, mirëmbajtje dhe hapësirë shitje. Edhe pse në këtë vit jemi përballur me aplikimin e taksës 100% të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ne gjithsesi kemi arritur t’i zëvendësojmë shumicën e programeve me artikuj të ngjashëm dhe me kosto edhe më të lirë. Kompania ELKOS sh.p.k. ka ekskluzivitetin e shitjes në Kosovë për shumë marka europiane dhe më gjerë.

 

Me çfarë problemesh jeni përballur më së shumti ju si kompani vitin e kaluar?

Si çdo biznes tjetër, edhe ne jemi përballur me disa vështirësi, ku në mesin e tyre mund të veçojmë:

-Mungesa e kuadrove të kualifikuara në tregun e punës për menaxhimin e investimeve dhe projekteve tona në vijim.

-Mungesa e financimit nga Bankat dhe limitimi i kreditimit nga BQK-ja për Bankat Komerciale në Kosovë me 15% të kapitalit të tyre për financim për një biznes.

-Burokraci dhe procedura të stërzgjatura administrative për marrjen e lejes për ndërtim dhe kostoja e lartë për këtë.

-Vështirësi në gjetjen e lokacioneve të përshtatshme për ndërtimin e njësive të reja dhe zgjerimin e zinxhirit të shitjes me pakicë edhe në qendrat dhe hapësirat e tjera në Kosovë.

-Informaliteti dhe konkurrenca jolokale në treg dhe në industrinë në të cilën veprojmë ne si ELKOS sh.p.k.

-Emigracioni i një numri të konsiderueshëm të banorëve dhe e punonjësve tanë gjithashtu, çka ndikon në uljen e konsumit në vend dhe vështirëson sigurimin e punonjësve nga bizneset.

 

Sa kanë qenë të hyrat në kompaninë tuaj gjatë vitit 2019?

Kompania jonë, Elkos Group, vetëm në Kosovë, në vitin kalendarik 2019, realizoi të hyra në vlerë 243,9 milionë euro neto pa TVSH, të dhëna këto të audituara 10 vitet e fundit nga Kompania Deloitte.

 

Cili ka qenë rezultati financiar i biznesit tuaj për vitin e kaluar? 

Që nga themelimi i Kompanisë ELKOS, në vitin 1990 e deri më tani nuk kemi pasur asnjë raport financiar negativ. Pra, nuk kemi operuar me humbje asnjëherë. Edhe përkundër rritjes së vazhdueshme vit për vit, në vitin 2019 kemi realizuar një fitim neto prej 9.5 milionë euro e që është më i vogël sesa vitin paraprak për shkak të disa arsyeve të përmendura më sipër.

Nëse këtë e marrim si një zvogëlim të trendit të fitimit, atëherë mund të themi se për shkak të disa faktorëve si: taksa 100%, informaliteti, konkurrenca e ashpër në treg, migracioni, etj., mund të kalkulojmë një rënie të shitjeve për 3% më pak se në vitin 2018.

 

Sa është numri i punëtorëve që ka kompania aktualisht dhe sa ka pasur vitin e kaluar?

Aktualisht, në listën e pagave, kompania jonë numëron 2 mijë e 450 të punësuar dhe në vitin e kaluar, kanë qenë mesatarisht 2 mijë e 625, sepse duhet të kemi parasysh që ka lëvizje të të punësuarve vazhdimisht.

 

Kosova është duke u përballur me COVID-19. Çfarë ndikimi ka pasur pandemia te ju?

Si në mbarë globin, ashtu edhe te ne, pandemia COVID-19 ka pasur ndikim negativ edhe në aspektin e rënies së shitjeve, ashtu si edhe në aspektin social dhe të mbarëvajtjes së biznesit. Është vështirësuar dukshëm komunikimi, takimet e rregullta me klientët tanë, takimet brenda stafit, udhëtimet zyrtare dhe hulumtimi i tregjeve të reja dhe përcjellja e tendencave të shitjes.

Hezitimi i konsumatorëve për blerje të artikujve, frika dhe pasiguria për të ardhmen dhe demotivimi për investime të reja, të gjitha këto reflektohen në mungesë të qarkullimit dhe mungesë të shitjes, si në ELKOS dhe në industritë e tjera, që janë në një hallkë lidhëse të përbashkët dhe që varen shumë nga njëra-tjetra.

Mungesa e rrjedhës së parasë te shumë biznese dhe klientët tanë dhe mosgatishmëria e Qeverisë për përkrahje ndaj bizneseve dhe në koordinim me BQK-në dhe me Bankat për lehtësi financiare etj., kanë bërë që ekonomia të ketë një rënie të theksuar në të gjitha shtetet, por edhe në Kosovë. Pandemia ka ndikuar shumë edhe në kompaninë tonë ELKOS këta 10 muaj të këtij viti.

Duhet theksuar që ne si biznes nuk jemi ndalur asnjëherë dhe për fatin tonë të mirë spektri i gjerë i artikujve na e ka mundësuar që të shesim artikuj ushqimorë dhe higjienikë dhe ta kompensojmë në një masë humbjen nga mosshitja e artikujve të tjerë joushqimorë.

Duhet theksuar që në krahasim me vitin paraprak kemi pasur një rënie prej 12% të qarkullimit, por kemi arritur ta ruajmë marzhin dhe shpenzimet në proporcion me shitjen, kështu që planifikojmë që deri në fund të vitit të realizojmë një qarkullim prej 211 milionë eurosh pa TVSH vetëm në Kosovë. Ne i kemi kompanitë tona ELKOS edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.

 

Me çfarë problemesh po ballafaqoheni aktualisht dhe cilat janë pritshmëritë për muajt dhe vitet në vijim? 

Aktualisht, kemi disa vështirësi në aspektin operativ dhe funksional që po vështirësojnë aktivitetin tonë të punës, si në kushtet normale të funksionimit që është logjike.

Në mesin e vështirësive që paraqiten nga situata e krijuar me COVID-19 mund të përmendim:

-Distancimi social dhe frika nga infektimi ka vështirësuar shumë komunikimin dhe kontaktin tonë me blerësit (vizitat tona të rregullta te blerësit tanë me shumicë, analiza e shitjes së artikujve dhe stimulimi i shitjes në terren dhe nga agjentët tanë është kufizuar.

-Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë periudhës nga marsi deri më tani kanë ndikuar në shkurtimin e orarit të punës së marketeve tona, në kufizimin e lëvizjes dhe të mundësisë së ardhjes së qytetarëve në Qendrat tona Tregtare dhe në market bashkë me familjen.

-Humbja e vendeve të punës në sektorët e tjerë ka ndikuar në frikën për një krizë më të gjatë sociale dhe me këtë, në rezervimin e konsumit jo esencial dhe direkt, në rënien e shitjeve në marketet tona.

-Mungesë të madhe dhe probleme në rënien e shitjeve tek ne kanë sjellë mosardhja e bashkatdhetarëve tanë për sezonin e verës dhe për festa, që kanë përbërë një%je% shumë të lartë të shitjes në atë sezon.

-Hezitimi nga ana e Bankave për pezullimin e kësteve të kredive për periudha më të gjata te klientët tanë dhe te qytetarët në përgjithësi, gjithashtu ka ndikuar në rënien e fuqisë blerëse dhe të konsumit, por edhe në ELKOS SH.P.K.

Lidhur me pritshmëritë për muajt dhe vitet në vijim, po mendojmë se do ta kapërcejmë këtë situatë të krijuar nga pandemia shumë shpejt dhe nga viti i ardhshëm do t’i kthehemi normalitetit të punës dhe planeve për të ardhmen. Gjatë gjithë kësaj kohe, për nëntë muaj, ne kemi ndërmarrë veprimet e duhura dhe të nevojshme për ruajtjen e stafit, për kujdesin dhe zbatimin e protokolleve të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për stafin dhe për klientët.

Jemi përpjekur në maksimum që të mos largojmë punëtorë nga puna. Kemi ruajtur llojshmërinë e asortimenteve të artikujve, kemi ruajtur bashkëpunimin me klientët tanë, qoftë me furnitorët, edhe me blerësit, dhe mënyrat e tjera të përshtatjes së punës në kohën e pandemisë.

Ndonëse me shumë vështirësi dhe përpjekje, por edhe me shpenzime të shtuara deri më tani, ne vlerësojmë se ia kemi arritur ta përballojmë shumë mirë këtë situatë./Monitor

Leave a Reply