Nëntë muajt e Blerim Xhemailit pa asnjë ndeshje në Kinë

Më 31 janar të këtij viti, Blerim Xhemaili firmosi me skuadrën kineze Shenzhen. Javën e kaluar u nda me klubin e Superligës së Kinës, për të cilin nuk e ka luajtur asnjë ndeshje kampionale. Ndonëse nuk është paraqitur në kampionatin kinez, ish-reprezentuesi i Zvicrës e vlerëson lart përvojën në Kinë. Ai tashmë është kthyer në Zvicër, ndërsa gjasat janë të mëdha që në janar të firmosë me Zuerichun, klubin ku është rritur e ku është bërë i famshëm.

Mesfushori 34-vjeçar ka përvojë të gjatë e të suksesshme, por në Kinë gjërat nuk i ecën mbarë. Ai kishte kontratë të vlefshme edhe për më shumë se një vit, por e ka shkëputur atë.

“Klubi më nuk ka llogaritur në mua. Nuk funksiononte dhe për këtë arsye e shkëputëm kontratën me marrëveshje të dyanshme”, ka thënë Xhemaili për Blick.

Ishte trajneri italian Roberto Donadoni me të cilin kishte punuar te Bologna ai që e transferoi Xhemailin në Shenzhen. Por, Donadoni ishte shkarkuar pas vetëm katër xhirove në edicionin aktual, që nisi vetëm më 25 korrik e jo në muajin shkurt ashtu si ishte paraparë. Pas largimit të Donadonit, Xhemaili mbeti nën hije.

“Qartë se ka luajtur rol shkarkimi i Donadonit. Nuk kisha të drejtë të luaja në katër xhirot e para. Pasi Roberto Donadoni u largua, çdo gjë ndryshoi”, ka treguar Xhemaili.

Ai ka pranuar se është e pazakontë që nuk ka luajtur asnjë ndeshje për nëntë muaj te skuadra kineze.

“Është e turpshme po ashtu. Por, ishte kohë e veçantë dhe e çmendur me këtë virus. Ishte thuajse mrekulli që ne lojtarët e huaj kemi marrë viza, pasi Kina nuk e ka lejuar askënd të futet në vend për kohë të gjatë. Ndonëse nuk kam luajtur, Kina ishte përvojë e madhe për mua, që nuk kam dashur ta humbas. Shenzheni është qytet i madh, njerëzit ishin të afërt”.

Xhemaili është i vendosur të vazhdojë karrierën. Ndihet i ri për t’u pensionuar, është i gatshëm dhe i motivuar. Ka thënë se do të mbajë formën në javët e ardhshme dhe në janar do të bashkohet me ndonjë skuadër. Zuerichu është destinacioni më i mundshëm i tij.

“Kam qenë jashtë për 14 vjet dhe dua të kthehem në shtëpi. Jam rritur në Zuerich, familja ime jeton atje dhe Zuerichu është klubi im. Natyrisht se do të ishte mirë të përfundoja karrierën atje ku e kam nisur”, ka theksuar Xhemaili.

Ai tashmë ka biseduar me drejtues të Zuerichut. Por, nuk e ka qartësuar të ardhmen.

Zuerichu, Boltoni, Torino, Parma, Napoli, Galatasaray, Genoa, Bologna, Montreal Impact e Shenzhen janë klubet e deritashme të Xhemailit. Për Zvicrën ai i ka luajtur 69 ndeshje dhe ka realizuar dhjetë gola.

Myrto Uzuni në qiellin e shtatë, shqiptari i shënon Juventusit – VIDEO

TORINO-Fantastike po rezulton ndeshja e parë si titullar për Myrto Uzunin, i cili ka tundur rrjetën për herë të parë Read more

“Shqipëria nuk përfitoi 1.25 mln euro nga Liga e Kombeve, por shumë më tepër”

Shqipëria e Edi Rejës i mbylli me sukses eliminatoret e edicionit të dytë të Nations League teksa siguruan vendin e Read more

Leave a Reply