Vulin, gjysmë romi që e “birësoi” gruaja e Sllobos, Mira Markoviç

Aleksandër Vulin, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, ka hapur polemika pak ditë më parë nga një deklaratë e tij kundër Edi Ramës, pas mbledhjes së qeverive të Kosovës e Shqipërisë në Tiranë, ku sulmoi kryeministrin shqiptar dhe quajti shqiptarin më të madh Esat Pashë Toptanin.

Vulin, ka hapur shpesh polemika, edhe kur ka qenë shef i zyrës së Kosovës në qeverinë e Vuçiçit, dhe përdorte termin “shiptari” për shqiptarët e Kosovës.

Ky term është përdorur gjithmonë si pezhorativ në Serbinë e vjetër e të re, kur bëhet fjalë për “armiqtë” e tyre.

Vulin është një besnik dhe njeri i afërt i Vuçiçit, ka qenë në qeveri që prej kur partia e presidentit aktual të Serbisë erdhi në pushtet. Ka qenë ministër për Kosovën, ministër pa portofol e prej 4 vitesh ministër i Mbrojtjes.

Njeriu që flet për racën e pastër serbe është djali i një nëne rome e babai serb të Bosnjës që ka lindur në qytetin e vogël të Lazovnikut.

Nuk është prejardhja e tij familjare e përzier që e ka mbushur atë me urrejtje ndaj shqiptarëve, por karriera e tij politike.

Edhe pse i ri, 48 vjeç, Vulin u bë numri dy i Lidhjes së Komunistëve-Lëvizja për Jugosllavinë, apo siç u quajt “Partia e Ushtrisë” në vitin 1990, e cila drejtohej nga gjenerali Stefan Mirkoviç. Kjo parti nuk ishte gjë tjetër por një levë e Sllobodan Millosheviçit për të mbajtur nostalgjikët e Jugosllavisë që mund të mërziteshin nga veprimet nacionaliste të egra të Partisë Socialiste Serbe të Sllobos.

Vulin ishte vetëm 20 vjeç kur u bë numri dy i partisë dhe dy vjet më vonë u bë “djali i preferuar” i Mira Markoviçit, gruas së Milosheviçit që krijoi Të Majten Serbe.

Por nga një “shtrigë”, pak vjet më vonë djali gjysëm serb e gjysëm rom, në vitin 1998 shkoi në prehrin e Vojosllav Sheshelit në Partinë Radikale, në krye të të ashtuquajturës “Lëvizje Socialiste”.

Tek radikalët, një parti gjysëm paramilitare e mbushur me pijanecë ku jeta e partisë bëhej më shumë në taverna sesa në salla mbledhjesh, Vulin gjeti adashin e vet në tavolinat plot me shlivovica e birra që pinin “baballarët” që pasi dëndeshin paq gjuanin në ajër e shanin me “rob shpie” shqiptarë e boshnjakë. Aty ndërsa me Vuçiçin servirnin shliva e birrë për Vojislav Sheshelin e Tomislav Nikoliçin, Vulin me Presidentin e sotëm serb u bënë probatinë e gatuan karrierën e tyre pasi pleqtë e damllosur nën avujt e alkolit do të largoheshin nga politika.

E ashtu ndodhi. Vulin e Vuçiç sot janë shefat e Partisë progresive Serbe, trashëgimtares së Partisë Radikale, por që sot po cilësohen nga perëndimorët si fytyra moderne e Serbisë së sotme. Një injorant, që gjithë jetën ka bërë vetëm kamarierin e ca pleqve të atrofizuar si gjenerali Mirkoviç dhe e frikshmja Mira Markoviç, e më pas psikopatët radikalë Sheshel e Nikoliç.

Figura si Vuk Drashkoviç, nacionalist po, megjithatë një shkrimtar e publiçist me peshë, liberalë të kulluar si Çedomir Jovanoviç, i vetmi trim i elitës së Beogradit që i ka qëndruar besnik Zoran Xhingjiçit, apo edhe Boris Tadiç etj, njerëz që janë elita e Serbisë së qytetëruar janë në margjina, pikërisht prej shëmbjes së modelit normal të politikës e kthimit të klientelizmit në sistem.

Sado që një Vulin e Vuçiç mund të jenë “reformuar”, koka e tyre mbetet te modelet apo historitë që i kanë mësuar në zyrën e ftohtë të gjeneralit Mirkoviç, përrallat e frikshme të Mira Markoviçit, apo idiotësitë që qelbeshin era shlivovicë në tavernën radikale të Sheshelit e Tomislav Nikoliçit. E flet për Esat Pashën! Dhe për të kushedi çfarë i ka thënë Vojislavi pas gotës së pestë…

Leave a Reply