Ramush Haradinaj e dërgon gruan e tij si diplomate e Kosovës

Eksponentë dhe familjarë të partisë e cila udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ia kanë mësyrë për t’u bërë diplomatë. Partia Socialdemokrate nuk kishte arritur të merrte asnjë ulëse në Kuvend nga koalicioni me AAK-në në zgjedhjet e 6 tetorit, as nuk i ishte ndarë ndonjë ministri. Por, megjithëkëtë, Ramush Haradinaj dhe PSD-ja nuk e kishin shkëputur bashkëpunimin.

Ish-kandidatja për deputete nga kjo parti, Shqipe Pantina, pritet të propozohet ambasadore në Japoni, me çelës politik. Në garë për t’u bërë pjesë e shërbimit diplomatik është edhe gruaja e ish-kryeministrit Haradinaj, Anita.

Para tre muajsh Ministria që drejtohet nga Meliza Haradinaj (AAK) ka hapur konkurs për 15 nëpunës, të cilët do të shpërndahen nëpër misione konsullore. “Koha Ditore” merr vesh se Anita Haradinaj, gruaja e ish- kryeministrit Haradinaj, si dhe ish deputetja e PSD-së, Aida Dërguti, janë në proces të rekrutimit.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka komentuar nëse Dërguti e Haradinaj janë në mesin e të përzgjedhurave.

“Procesi i përzgjedhjes së nëpunësve konsullorë është në vazhdim e sipër, sipas udhëzimeve dhe rregullave në fuqi. Momentalisht brenda MPJD-së janë duke u trajtuar ankesat e kandidatëve që kanë aplikuar në këtë proces”, thuhet në përgjigjen fillestare. Por në një version tjetër të përgjigjes MPJD-ja e ka hequr pjesën e dytë të përgjigjes që flet për ankesat e kandidatëve.

Gazeta nuk ka arritur të vërë kontakt me Haradinajn e Dërgutin.

Kjo e fundit ishte lidhur me një kalim të mundshëm në AAK pasi vendosi ta braktiste dhe të mos jetë kandidate për deputete në Listën e PSD-së.

Leave a Reply