Arkan: “Aferat” e tigrave

Kur shpërtheu lufta në ish Jugosllavi – ishte viti 1991 — milicitë e para serbe që u vërsulën kundër kroatëve qenë ato të Zheljko Raznatoviçit, një krimineli që, veç të tjerash, kishte debutuar si rrëmbyes në Milano, në vitin 1974. Banda me një mizori absolute. Por pas konfliktit tigrat e Arkanit janë shpërndarë përtej Ballkanit, duke jetuar në pandëshkueshmëri, duke lidhur aleanca (edhe me ’Ndrangetën) dhe duke ndërtuar me metodat e frikshme të së kaluarës një perandori të paligjshmërisë

Qenë tigrat. Tigrat e Arkanit. Por ende nuk mjaftonte. Në dy vitet e parë të luftës në ish Jugosllavi, 1991 dhe 1992 – vitet e lindjes, formimit dhe debutimeve të vdekjes – paraushtarakët serbë preferonin të quheshin supertigra. Identifikonin linjën primordiale. Grupi historik nën urdhërat e Zheljko Raznatoviçit, i quajtur Arkan: ish rrëmbyes, ish spiun dhe ish vrasës me pagesë i hërbimeve sekrete serbe që e shpëtuan nga arrestime e burgosje, dhe, kur nuk ia arrinin, i lehtësonin arratitë. Jo një kriminel i vërtetë. Më shumë një keqbërës mediokër me mbrojtje të forta. Me pak fjalë, një i rekomanduar. Arkan. Si ai tigri i karikaturës së tij të preferuar kur ishte fëmijë. «La Lettura» ka kryqzuar burime investigative të 4 vendeve, përmbledhje gazetarësh ballkanikë, studime kërkuesish universitarë serbë të emigruar në Europën Veriore, dokumenta sekrete. Ka përcjellë në kujtesë protagonistët e një riciklimi ekzistencial – fillimisht ushtarë gjatë konfliktit, pastaj kriminelë në periudhën e pasluftës – dhe, falë një liste të rezervuar, ka hetuar mbi ish tigrat (dhe supertigrat) të nisur nga Serbia me destinacion botën, sikur të mos kishte ndodhur kurrë asgjë.

Xhelatët e xhelatit Arkan kanë lindur midis mesit të viteve ’60 dhe fillimit të viteve ‘70. Ndonjë edhe ka vdekur (në betejë, nga mbidoza, rënë në rrethana misterioze, ndërruar jetë nga infarkti në zemër pas netësh të çmendura). Shumica jeton akoma. Për bukuri dhe në pasuri. Në pandëshkueshmëri totale. Në epokën e rekrutimit, tigrat ndaheshin midis tifozëve ultrasë të Crvena Zvezdës dhe kriminelëve të nxjerrë nga burgu. Paraushtarakët e ardhshëm u trajnuan nga ish oficerë të Legjionit të Huaj, sidomos ai francez (si Mirolad Ulemek, Legija, shenja dalluese një trëndafil në qafë dhe një merimangë në parakrah) dhe u hodhën në sulm. Njëmijë ushtarë në fazën embrionale të  tigrave, që shpejt u trifishuan në numër. I njollosën ata sulmet e para ndaj kroatëve: në korrikun e 1991, sulmet ndaj fshatit Çelije, përndjekja e banorëve të qytetit të vogël Ilok dhe, në përgjithësi, pushtimi i Sllavonisë. Ashtu siç ishte premtuar. Në pritjen e organizuar në aeroport futbollistëve të Crvena Zvezdës kampionë të  Europës majin e atij viti, Arkani ishte paraqitur me plisa dheu. Plisa pikërisht të Sllavonisë më pas të dhuruara futbollistëve, si garanci se ai rajon kroat shpejt do të ishte serb.

Analistëve ushtarakë, sulmet e tigrave u kujtonin progresionin frontal e sovjetikëve në Luftën e Dytë Botërore dhe tërësinë e bastisjeve turke të 5 shekujve më parë. Nga njëra bllokime rrugësh, ura të hedhura në erë, shtëpi të djegura; nga ana tjetër, masakra, tortura, përdhunime masive. Terrori. Kanë qenë ushtarët e Arkanit ata që kanë inauguruar spastrimin etnik e bazuar mbi dhunën seksuale. Vajza edhe 12 vjeçare – fëmijë – të përzgjedhura, të nënshtruara ndaj agresonesh sistematike, deri në 30 meshkuj në ditë, domethënë të vrara ose, nëse janë në pritje të një fëmije, të mbajtura rob deri kur një abortim nuk ishte më i mundur pasi në kurriz të lindjes; në rast se praktikohej, ndërprerja e shtazanësisë do të vinte në rrezik vetë jetët e vajzave. Në barqet e tyre, tigrat gdhendnin kryqe me majën e thikës. Urrejtja kundër myslimaneve. Kundër «qafireve».

Koha nuk ndihmon, nuk shëron, nuk qetëson. Në distancën e 26 viteve mungojnë porositësit dhe vrasësit e Dada Vujashinoviçit, gazetare ndër të parët që denoncoi masakrat dhe e gjetur e vdekur në shtëpi: në portretet e Dadas, Arkani shfaqej për atë që ishte. Një njeri i trazuar që në një përditshmëri normale vështirë se do të siguronte ushqim për darkë; për sa u përket trupave të tij, qenë barbarë gjithmonë të droguar e të dehur. Tigrat: një ngjarje e pafundme mizorie. Përfshi kampet e përqëndrimit. Thuajse asnjë nuk ka paguar. Si shumë nazistë, pavarësisht Nyrembergut. Atëhere gjermanët u arratisën duke shfrytëzuar mbrojtje dhe marrëveshje, nganjëherë ndryshuan identitetin, shpesh u bënë kriminelë; pas konfliktit, serbët janë arratisur duke shfrytëzuar mbrojtje e marrë veshje, nganjëherë kanë ndryshuar identitet, shpesh janë bërë kriminelë. Binarë paralelë. Gjithçka përsëritet. Edhe respekti pasvdekjes i rezervuar «heronjve». Dolli, lutje, të qara. Falenderime. Varri i Arkanit është objekt pelegrinazhesh. Jo vetëm nga serbët: në varrezë vijnë ekstremistë të djathtë. Kudo nga Europa. Në internet relikat e tigrave ruajnë një treg të konsiderueshëm: portrete, medalje, berreta, deri 1000 euro për një uniformë (e përdorur). Guxo të flasësh keq për shefin dhe skuadriljet e tij. Të pamëshirshmit e tij. Që pas lufte, në mungesë të përjetshme kodesh, hezitimesh dhe brengash, kanë mësuar artin e kompromisit dhe të konspiracioneve. Për të mbijetuar. Aleanca dhe afera kriminale.

Lidhja midis serbëve dhe’Ndrangetës ka lindur me luftën. Tigrat kishin një disponueshmëri të jashtëzakonshme armësh dhe grupeve ju nevojiteshin ato për rivalitetet e brendshme, rreketet dhe atentatet. Sot serbët bashkëpunojnë me ’ndrinet. Në narkotrafik. Falë edhe vetëm rrugës së krijuar nga Darko Shariç, ish padron ndërkontinental i kokainës, i vendosur midis Argjentinës dhe Uruguajit për të trajtuar me drejtuesit e karteleve jugamerikane. Një hetues spanjoll thotë se vetëm dy grupe e kanë kryer ngjitjen prepotente dhe trajtojnë njëlloj me fuqitë klasike hegjemone (vetë narkosët dhe ’Ndrangetën): shqiptarët dhe, pikërisht, serbët. Një hetues italian thotë se në xhunglën e rrugës nuk ka asnjë si serbët që i frikësohen të gjithë të tjerët. Për nga vrulli, fuqia e zjarrit dhe pamëshirshmëria e  pashoqe.

Nga gjeografitë, ajo italiane mbetet qendrore. Dhe jo pse në Milano, në prillin e 1974, debutoi një Arkan i ri (vodhi një restorant). Nga Milano mund ta rrëfejmë epopenë e tigrave. Duke filluar nga Igor Kolar. Plaçkitës bankash i armatosur me kallashnikov dhe bomba. Në kokë, projekte spedicionesh kundër makinash transferimi të parave të shmangura në vigjilje nga karabinierë dhe projekte kidnapimi personash me epilog identik. Pas 10 vitesh në burg, Kolar dhe të tijtë kanë lënë gjurmë të gjalla. Raporte me gra të lagjes Corvetto, në periferii; armë të fshehura dhe të pagjetura kurrë; para njëlloj të fshehua;  dishepuj që do të donin t’i replikonin aktet. Dhe t’i tejkalonin ato.

Marko Lopushina është një gazetar dhe shkrimtar serb. Ka shkruar si për tigrat, ashtu edhe për shërbimet sekrete serbe. Duke cituar burime të policisë, inkuadron zonën ballkanike sipas magieve të mëposhtme: për serbët, klanet janë tri. Një i përqëndruar në Beograd (Luka Bojovic mafija), një i dytë i degëzuar në të gjithë vendin (Legija mafija) dhe një i tretë pa kufi, Arkan mafija, jo detyrimisht pa lidhje me të tjerët. Bojoviç, ashtu si Ulemek (janë bashkuar nga pasioni për automatikun Zagi M-91 dhe ndarë  nga një rivalitet i egër) ka qenë një oficer i Arkanit. Ka zgjedhur Spanjën dhe ka ndërtuar një perandori të ardhurat e së cilës i kanë mundësuar të hapë kompani, të ndërtojë hotele, qendra tregtare. Zakonisht, një fasadë për trafik droge, trafik armësh, dokumentash false. Për të prodhuar dhe ricikluar para.

Në listën e rezervuar të analizuar nga «La Lettura» shfaqen identitete dhe lokalitete. Identitete si «Pajo» (emër lufte), Drejtor Financiar kompanie në Beograd; «Raxha» (emër lufte), i hyrë në shërbimet sekrete serbe; «Osijec» (emër lufte), përkthyes për delegacionet e huaja dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut; Vukovijët, babë e bir, që kanë pasur punësime në kazinotë dhe në kopshtin zoologjik të Beogradit… Lokalitetet janë vende ku janë sistemuar tigrat. Me grua, fëmijë, nipër e mbesa. Nijemci, Banja Luka, Nia, Ruma, Derventa. Është sidomos këtu që duhen kërkuar. Por tigrat janë bërë fantazma. Dhe jo gjithmonë dokumentat e materialit monumental të Tribunalit për Krimet në ish Jugosllavi zbulojnë sekrete. Mbesin shërnimet e pakta që kanë ndarë gjuetarët e vjetër të tigrave. Ndoshta detaje tashmë të kota, copëza përshkrimesh. Për shembull: «I gjatë 205 centimetra», «Pëlqen makinat Honda», «Ka një sy mangut», «Vozit ekskluzivisht makina dekapotabël», «Ka tatuazhin e një femre afrikane», «Ka humbur një këmbë», «Lojtar pokeri», «Piloton avionë», «Kampion karateje», «Ka hapur një zinxhir dyqanesh me prodhime brumi», «Stërvit qenër», «Jeton në Afrikën e Jugut». Personat në kërkim, thuhet, i gjen kur vendos t’i ndjekësh.

Herët a vonë, kushdo bën gabim ose e kryejnë përkrahësit e tyre. Në Afrikën e Jugut, që u garanton mikpritje, mbrojtje dhe identitete të reja tigrave, ishte fshehur Dobrosav Gabriç, vrasësi i Arkanit, një polic i ngarkuar për të eliminuar një njeri që dinte shumë, një që këmbëngulte tpër t’u sjellë sipas natyrës së tij: funksionarët e INTERPOL-it që kanë ppunuar lidhur me Arkanin e kanë quajtur «qen të tërbuar». Thotë një hetues boshnjak se mund të ketë në qarkullim Simon Wiesenthal (i mbijetuar i Shoahut,  gjuetar i nazistëve) të rinj. Wiesenthal antiserbë. Në kërkim informacionesh dhe indiciesh. Lista për t’ju dhënë forcave të rendit dhe ekzekutuesve të hakmarrjeve.

E vërtetë se paslufta ballkanike ka ushqyer raprezalje reciproke etnike, në një spirale urrejtjeje që nuk është zbutur kurrë, ndoshta e vënë në pauzë edhe për arësye shtetërore (aspirata për të hyrë në Bashkimin Europian). Është e vërtetë se serbët, të paktën gjeneratat e vjetra, gjithçka e kanë në kokë përveçse rihapjen e debateve dhe promovimin e aksioneve lidhur me atë sezon. Por është edhe e vërtetë se shumë hesape kanë mbetur pezull. Kush ka bërë burg për krime të ndryshme ka dalë ose do të dalë së shpejti. Proceset e pakta janë rënduar nga ngecje dhe përmbysje të vendimeve. Jovica Stanishiç dhe Franko Simatoviç kanë qenë dy elementë kyç të forcave të armatosura të regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Kanë pasur lidhjet me tigrat. Ndoshta, teksa serbët vrisnin bijtë përpara nënave, u prisnin kokën pleqve, mbysnin të sapolindur, i varrosnin të gjallë bashkë me të vdekurit, ata të dy qenë të pranishëm. Janë të lirë. Në pritje (ndoshta) të një dënimi definitiv. Procesi ka filluar në vitin 2003.

Ka pasur tigra që kanë luftuar në luftën e Ukrainës. Të tjerë të rekrutuara nga shërbime sekrete (edhe amerikane). Të tjerë akoma që posedojnë hartat e përleshjeve në ish Jugosllavi dhe organizojnë grumbullime periodike për të nxjerrë në dritë armë të vjetra për t’ua shitur kamorristëve. Kallashnikovët mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë nëntokë, mjafton t’i vajosësh dhe funksionojnë sikur të jenë të rinj. Tigrat janë si këto armë. Të matur dhe kameleonianë. Raport i policisë gjermane mbi kriminelin 46 vjeçar Srxhan Pajoviç, ish tigër, Dosja 123278. Në zërin «alias» figuron si: «Pajoviç Srxhan»; «Jandel Tomislav Matija»; «Milojeviç Predrag»; «Polumira Dejan»; «Valençiç Darko»… Informacione mbi subjektin janë kërkuar nga policitë e Romës, Vjenës, Beogradit, Podgoricës, Parisit, Madridit. Një e kaluar që nuk vdes dhe që ushqehet si metastazë. Një serbisht, metastaza.

(nga La Lettura)

Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al

Leave a Reply