7 plazhet më të qeta në Shqipëri – FOTO

Jo gjithmonë “i famshëm” do të thotë edhe i kërkuar. Sidomos kur vjen puna për të zgjedhur plazhin. Shpesh, sa më pak i njohur të jetë ai, sa më pak i frekuentuar e i zhurmshëm, aq më joshës për ata që pushimet i konsiderojnë si një pauzë nga jeta e vrullshme e punës dhe aktivitetit të përditshëm.

Vitet e fundit, në plazhet e rivierës shqiptare, është gjithnjë e më e vështirë të gjesh “xhepa” të qetë, që të mos jenë të tejmbushur me njerëz, apo ku të mos mbivendoset muzika e bareve. E ndërsa kjo është një situatë ideale për shumë pushues që i zgjedhin këto plazhe enkas për gjallërinë e tyre, shumë të tjerë janë në kërkim të plazheve më të qeta. Në një shkallë gati natyrale, nga veriu në jug, sa më poshtë zbret, aq më të ulëta bëhen zhurmat e njerëzve, e aq më e lartë zhaurima e detit.

Kallmi

Mund të zgjidhni si destinacion pushimesh Durrësin, por plazhin bëjeni në Kallm. Ata që e njohin dhe e frekuentojnë plazhin e Kallmit, nuk do të donin kurrë ta lexonin të përfshirë në ndonjë listë, me dëshirën për ta ruajtur nga popullariteti dhe për ta mbajtur sa më gjatë “ekskluziv”. Godinat shumëkatëshe të plazhit të durrësit nga këtu, duken vërtet të largëta.

Nat_Kallm_Durrës
Plazhi i Kallmit, foto nga Web Library

Plazhi i Gjeneralit

Legjendën e gjeneralit italian që zbuloi këtë gji të izoluar gjatë luftës dhe u dashurua me të, e kupton fare mirë kur, në pikën më të lartë të kodrave, rrugës për në Plazhin e Gjeneralit, të shpërfaqet para syve panorama që rrok gjithë gjirin. Edhe pse vitet e fundit vizitohet më shumë, Plazhi i Gjeneralit mbetet në thelb një zonë e qetë ku mund të kalohen edhe pushime të gjata.

Nat_plazhi_gjeneralit
Plazhi i Gjeneralit. Foto nga IntoAlbania

Divjaka

Falë klimës ideale dhe pranisë së Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, mbuluar nga një kurorë pishash që i sigurojnë freskinë, plazhi i Divjakës, ka qënë ndër më të frekuentuarit ndër vite. Megjithatë, kjo zonë ka arritur të zhvillojë një turizëm të qëndrueshëm, falë edhe shtrirjes së madhe që lejon shpërndarjen e pushuesëve në territor, pa krijuar dyndje. Si zonë e pajisur me shërbime të shumta, e njëkohësisht destinacion i turizmit natyror, Divjaka është zgjedhje e përsosur jo vetëm për arratisjet ditore nga qyteti, por edhe për të shpenzuar pushimet verore, në freski dhe qetësi.

Nat_Divjaka
Divjakë, foto nga IntoAlbania

Zvëneci

Ky plazh, është pa dyshim një ndër pikat më të bukura të bregdetit të Vlorës, veçojmë këtu Gjirin e Hënës. Plazhi me rërë, e i pastër, e bën Zvërnecin të përzgjedhur si vendpushim më së shumti nga familjarët. Prania e Pyllit të Sodës në shpatulla, ia shton vlerën në ditët e nxehta. Nëse e zgjidhni, ju këshillojmë një ekskursion në ishullin e Zvërnecit dhe Manastirin e Shën Mërisë, për më shumë qetësi shpirtërore. Ajo që gjithashtu duhet mbajtur parasysh për plazhet e kësaj zone është fakti që në disa pika, korrentet nënujore i bëjnë të rrezikshme për të notuar.

Zvërnec, foto nga Web Library

Livadhi

Në një ekuilibër të mirë midis qetësisë dhe zhurmës, mundet të themi se këtu ende pushohet. Nëse ndalesh në metrat e parë pasi zbret në Livadh, gjasat janë që të të mbërrijnë tinguj muzike, shpesh herë “reggae” dhe asnjëherë fuqishëm. Por nëse orjentohesh në krahun e majtë të plazhit, drejt jugut, sa më poshtë të zbresësh, aq më të rrallë bëhen njerëzit. E gjithë kjo situatë e qetë ka edhe një fakt pozitiv, zona është e mbuluar me shërbime.

Plazhi i Livadhit, burimi: discoveralbania.a

Porto Palermo

Mund t’ju duket si kthim prapa në kohë mbërritja në plazhin e Porto Palermos, në Himarë dhe jo vetëm për shkak të dy godinave të braktisura të periudhës së komunizmit. Për një eksperiencë të plotë retró, ju sugjerojmë të paketoni drekën me vete dhe të merrni radion tuaj me bateri.

Porto Palermo. Foto nga Web Library

Buneci

Së bashku me Lukovën, në këtë zonë të bregut janë plazhet të cilave u është dëgjuar emri më pak, e për rrjedhojë, më të qetat e jugut. Edhe strukturat mikpritëse këtu janë të pakta. Nëse dëshironi që koha juaj të shënjohet nga zhurma e valëve të detit, zgjidhni Bunecin.

About admin

Check Also

12-vjeçari diplomohet në shkollën e mesme dhe në fakultet në të njëjtën javë

Një 12-vjeçar në Karolinën e Veriut shfrytëzoi më së miri kohën e karantinës që kishte …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *