Sërbia, lidere e rajonit në fushën e IT-së

Suksesi i Serbisë, si një qendër e shërbimeve IT, mund t’i atribuohet ndërhyrjes së suksesshme shtetërore në nivelin e shkollave fillore dhe një regjimi mbështetës për investimet dhe taksimin – thuhet në raportin e FMN-së “Nxitja e rritjes në Ballkanin Perëndimor”.

Sipas Nabojsa Durdevic, CEO i Digital Serbia Initiative, gjatë prezantimit të këtij raporti në Vjenë, bizneset e IT-së në Serbi kanë kaluar në shërbimet me vlerë të shtuar të lartë me ekspertizë vendase, ndryshe nuk mund të konkurronin po të shisnin programe të lira, pasi për këtë kategori konkurrojnë vendet nga Afrika. Ai thotë se kompanitë në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Serbi punësojnë 95% inxhinierë. Fokusi është që të shkojnë drejt kompanive që zhvillojnë produktet e tyre dhe t’u largohen produkteve xhenerike me vlerë të shtuar të ulët.

Në Serbi, ekosistemi i startup-eve është i përqendruar në Beograd dhe në Novisad, duke u renditur si ekosistemi i dytë me rritje më të shpejtë në botë. Kompanitë serbe synojnë tregjet europiane. Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit përfaqëson 6% të PBB-së serbe dhe ka pasur një rritje vjetore prej 20% të shërbimeve në IT. Një nga arsyet lidhet edhe me politikat e mira, sikurse përmendet në raport. Në gjimnaze ka klasa të specializuara IT me programe të avancuara, ndërsa në universitete diplomohen çdo vit 3300 inxhinierë, që përfaqëson 25 % të të gjithë të diplomuarve në vend.

Sipas raportit, Serbia po kthehet me shpejtësi në një qendër për ofrimin e shërbimeve IT në rajon. Vlera e këtyre eksporteve u rrit me 2% të PBB-së në vitin 2016, nga 0.5% që ishte në vitin 2007, një nivel që tani për tani është tejkaluar nga eksportet e makinerive elektrike dhe makinave.

Krijimi i Qendrës së Zhvillimit të Microsoft në Serbi (MDSD) në vitin 2005 ishte një pikë kthese. Qendra është përfshirë në zhvillimin e aktiviteteve kyçe për Microsoft, ku përfshihen: LiveSearch, njohja e shkrimit të dorës, analizim imazhi dhe menaxhim databaze.

Një tjetër efekt pozitiv i qendrës është se të tjera kompani ndërkombëtare kanë hyrë në treg, duke blerë firma serbe që mundësojnë shërbime programimi, zhvillim softuerësh dhe testim, si dhe ueb dizajn.

Një qasje e shumëfishtë politikash ka ndihmuar në suksesin e sektorit të IT. Qeveria serbe ka prezantuar “informatikën” si lëndë të detyrueshme në shkollat fillore dhe ka rritur kuotat e regjistrimit në departamentet e TI-së në universitete në vitin 2017 me 20 %. Më shumë se një e katërta e të diplomuarve në universitet çdo vit kryesojnë në lëndë teknike, më shumë se në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, duke krijuar një grup të fortë talentesh për shkenca kompjuterike.

Qeveria krijoi një fond të Inovacionit në vitin 2011, me mbështetjen e BE-së dhe Bankës Botërore, për të siguruar financimin e rrezikut për bizneset serbe për të mbështetur inovacionin në shkencë dhe teknologji (Sanfey, Milatovic dhe Kreisc 2016).

Shumë profesionistë të IT-së në Serbi përfitojnë nga një regjim tatimor që lejon taksimin e parashikuar për sipërmarrësit dhe pronarët e vetëm, duke taksuar në mënyrë të efektshme të ardhurat me një shkallë më të ulët.

 

Nxitësit fiskalë

-Zbritjet për kërkim-zhvillim: shpenzimet për kërkim zhvillim llogariten dyfish për efekt taksash

-Të ardhurat e gjeneruara nga pronësia intelektuale në zhvillimin e programeve taksohen me 3%, në vend të 15%

-Kreditim i taksave për investimet në startup: 30% kreditim i tatimit mbi korporatat për investime në start up inovative

 

Talentet

-Kodimi është i detyrueshëm që në arsimin fillor

-Serbia kryeson rajonin në indeksin e Bankës Botërore për kapitalin njerëzor

-100 milionë euro janë investuar në transformimin dixhital të sistemit arsimor

Leave a Reply