Eco Guerilla për arrestimet në Tetovë: Të ndëshkohen të gjithë uzurpuesit e hapësirave publike

Organizata jo qeveritare “Eco Guerilla” ka reaguar për arrestimet e pesë punonjësve në Komunën e Tetovës.

Ata kërkojnë që institucionet kompetente t’i ndëshkojnë të gjithë uzurpuesit e hapësirave publike.

“Eco Guerilla përshëndet aksionin policor ku janë arrestuar 5 të punësuar nga Komuna e Tetovës në lidhje me keqpërdorimet e bëra në privatizimin e pronave publike. Inkurajojmë organet e rendit dhe të hetuesisë që të zgjerojnë operacionin e hetimeve në Komunën e Tetovës për të zbuluar fajtorët e vërtetë që kanë lejuar dhe mundësuar uzurpimet masive të hapësirave tjera publike në qytetin e Tetovës dhe para drejtësisë të nxirren edhe peshqit e mëdhenj”.

“Shkatërrimi i hapësirave të gjelbërta në qytet dhe shndërrimi i tyre në vendparkime private për ndërtesat banesore duhet të hetohet poashtu dhe të përfundojnë në paraburgim edhe persona të tjerë që kanë gisht në këto aktivitete mafioze. Presim drejtësi joselektive!”, thonë nga Eco Guerilla.

Ndryshe, sot në mëngjes janë arrestuar pesë të punësuar në Komunën e Tetovës, ndërsa edhe për një person të gjashtë policia është në kërkim.

Sipas informacioneve të para nga Prokuroria, ata dyshohen për privatizim të tokës shtetërore dhe legalizim të paligjshëm.

Leave a Reply