Edhe Mijalkovi me 8 deputet që ikën nga VMRO afër koalicionit me LSDM-në

A po përçahet VMRO-DPMNE-ja para zgjedhjeve? Gjithnjë e më të zëshëm dhe më aktivë janë nga grupi i partisë opozitare ku anëtarë janë ish-ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, deputetja aktuale Daniella Rangellova, si dhe disa nga 8 deputetët e pavarur.

Për këta pohohej se në prapavijë qëndronte ish-shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe se pritet të tërheqin një pjesë të konsiderueshme nga partia e tyre amë. Në profilin e tyre në Fejsbuk në “VMRO-DPMNE e Re”, si logo qëndron luani si bazë e flamurit maqedonas bashkë me shenjën e NATO-së dhe yjet e BE-së. Deputetja Rangellova, shpeshherë publikisht i kritikonte hapat e partisë opozitare, sidomos të liderit Hristijan Mickoski dhe hapur thoshte se nuk i përkrahin politikat e VMRO-DPMNE-së.

Paraprakisht, Petar Bogojeski, fillimisht si fraksion në VMRO-DPMNE udhëhiqte një grup reformatorësh të partisë. Por, para disa muajsh e formoi edhe platformën e re qytetare “Koncepti i Maqedonisë”, me të cilën po bëhet gati të paraqitet në këto zgjedhje.

“Në qoftë se qytetarët kërkojnë dhe tregojnë se janë të hapur për diçka të ndryshme, për oferta të ndryshme nga këto dy oferta mirë të njohura për të gjithë ne, do të ofrojmë alternativë për këto zgjedhje. Nëse qytetarët nuk janë të interesuar dhe janë të kënaqur nga ofertat “Në rrugë të drejtë” dhe për ripërtëritjen e Gruevizmit, ne do të qëndrojmë anash nga zgjedhjet”, u shpreh Petar Bogojeski.

Duke pasur parasysh se vjen nga radhët e opozitares VMRO-DPMNE, e pyetëm Bogojeskin nëse “Koncepti i Maqedonisë” mund të marrë vota nga partia amë?

“Koncepti i Maqedonisë mund të marrë dhe të fitojë më shumë se “Ripërtëritja për Maqedoninë”, por edhe nga koncepti “Në rrugën e drejtë”, normal nëse qytetarët e kuptojnë esencën e “Konceptit të Maqedonisë”. Jemi aktivë që nga fillimi i janarit të nisim me fushatën “Bëhu pjesë e një shteti normal, bëhu pjesë dhe bëj ndryshime”, potencoi Petar Bogojeski.

Krahas paralajmërimeve të “Konceptit të Maqedonisë” se po bëhen gati për këto zgjedhje, nga “VMRO-DPMNE-ja e Re ”, nuk ka informacion nëse edhe ata do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme.

Leave a Reply