Jeta luksoze, cilat janë burimet reale të reperes shqiptare

Loredana Zefi me këngët e saj kishte bërë bujë më herët, por asnjëherë si tani me skandalin që ka plasur në Zvicër.

Reperja shqiptare për ditë të tëra qëndron në fokus të mediave zvicerane. Ajo është e dyshuar se ka mashtruar një çift zviceran me 700 mijë franga, por këto akuza i ka hedhur poshtë ajo, shkruan albinfo.ch.

Mediat zvicerane, konkretisht ‘Blick’, është marrë edhe me të ardhurat e këngëtares nga Luzerni.

Këngët e saj janë dëgjuar 145 milionë herë vetëm në “Spotify” asnjë këngëtar tjetër zviceran nuk u dëgjua më shumë se reperja në fillim të vitit.

Përafërsisht, për çdo klikim fitohen 0.0004 franga. Bazuar në këtë, Loredana do të kishte fituar rreth 580.000 franga në vitet e fundit. Përveç kësaj ajo fiton edhe nga platformat e tjera si Apple Music dhe Tidal.

Loredana ka 1.3 milionë ndjekës vetëm në “Instagram”. Megjithatë konvertimi i tyre në para është një ‘sfidë’, thotë Fabian Plüss nga agjencia e influencuesve “Kingfluencers”.

“Influencues të tjerë me numër të ngjashëm të ndjekësve mund të marrin shuma deri në 10.000 franga në raste të jashtëzakonshme. Ajo ndoshta merr 2.000 euro për një postim në Instagram”, është shprehur ai.

Gjithashtu 152 milionë shikime në katër videoklipet e saj muzikore në “YouTube”. Vetëm hiti “Sunglasses” është shikuar 45 milionë herë, përcjell tutje albinfo.ch.

Sipas burimeve në këtë platformë fitohen rreth 0.1 cent për klikim. Pra, ajo mund të kishte fituar mbi 150.000 franga. Se sa e lartë është kjo shumë varet edhe nga kontrata që ka me labelin e saj, shkruan tutje e përditshmja zvicerane.

Këngëtarja shqiptare këndon vetëm në klube dhe festivale të përzgjedhura. Burime të tjera të të ardhurave të Loredanës janë vështirë për t’u numëruar. Është e qartë se reperja fiton shumë para nga shkarkimet e këngëve të saj. Përveç kësaj ajo fiton edhe nga “Suiza” për çdo këngë të saj që transmetohet në radio.

Paditet nga avokati

Sipas akuzës nga çifti zviceran, ajo akuzohet për 700 mijë franga. Vëllai i saj fillimisht kishte marrë 200 mijë, derisa Loredana ishte paraqitur si një avokate me emrin Anna Landmann, 29 vjeçare dhe se ishte e bija jashtë martesore e avokatit të njohur të atjeshëm Valentin Landmann. Ajo kishte pretenduar se ishte avokate dhe do t’i ndihmonte ata.

Tani Landmann ka vendosur që të ngrejë padi kundër Loredanës për keqpërdorimin e mbiemrit të tij, dhe të ish-gruas së tij Anna Landmann, që dikur kishte punuar në zyrën e avokatit, shkruan tutje Blick.

“Nuk isha aspak i lumtur kur dëgjova për lajmin. Ky është një abuzim absurd me mbiemrin tim. Nuk kam të bëj me ngjarjen dhe nuk kam asnjë vajzë të jashtëligjshme. Gjithçka është gënjeshtër”, kishte thënë Landmann për mediat.

Rrezikon të dëbohet në Kosovë

Në rast se do të shpallet fajtore, Loredana Zefi mund të dënohet edhe me dëbim nga Zvicra. Siç shkruan “20minuten.ch”, vepra për të cilën ajo akuzohet, parasheh dënim deri në 5 vite burg ose me gjobë. Ndërsa vetë dënimi i tillë, bazuar në nenin për dëbim, nënkupton dëbimin e detyruar nga Zvicra të personave me shtetësi të huaj. E shumta, ajo mund të përfitojë nga klauzola e ashtuquajtur e “rasteve të rënda”, e cila sidomos për secondot (brezi i dytë i të huajve) parashikon përjashtime ose lehtësime.

Loredana Zefi, ndonëse është rritur dhe shkolluar në Emmenbrücke të Lucernit, ajo ka vetëm nënshtetësinë kosovare, pra jo dhe atë zvicerane. Këtë e ka konfirmuar Prokuroria Publike e Kantonit të Lucernit.

Sipas hulumtimeve të bëra nga “20 Minuten”, Loredana, në fund të vitit 2013 kishte bërë kërkesë për nënshtetësinë zvicerane. Kjo kërkesë gjendet edhe në një komunikatë të në fletoren zyrtare të komunës Emmen, përcjell albinfo.ch.

Por ajo duket ta ketë tërhequr kërkesën më vonë ose kërkesa i është hedhur poshtë. Nuk dihet përse nuk ka funksionuar puna e natyralizimit të saj në Zvicër. Komuna, në funksion të detyrimit të saj për mbrojtjeen e të dhënave, nuk ka pranuar të deklarohet rreth kësaj.

Leave a Reply