200 palestinezë të vrarë në orët e fundit në Gaza – Shqip

by admin
Spread the love

Biden bisedon me Netanyahun: Nuk kërkova armëpushim

Mbi 200 palestinezë u vranë dhe 368 të tjerë u plagosën nga sulmet e Izraelit në Gaza gjatë 24 orëve të fundit. Ministria izraelite e Mbrojtjes njoftoi se 5 ushtarë izraelitë u vranë në operacionin ushtarak tokësor të kryer në Rripin e Gazës, duke e çuar në 144 numrin total të ushtarëve të vrarë që kur nisi ofensiva tokësore.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit pretenduan se fokusi aktual i sulmeve janë tunelet nëntokësore të Hamasit dhe se do të zgjerojnë më tej operacionet ushtarake në Rripin jugor të Gazës në ditët e ardhshme.

Por pamjet e transmetuara nga “Reuters” tregojnë se sulmet ajrore nuk kanë kursyer aspak as pallatet e banimit dhe infrastrukturën civile.

Por ndërsa lufta që vazhdon prej 11 javësh vijon të marrë çdo ditë jetën e dhjetëra personave, presidenti amerikan Joe Biden bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahun, por nuk nuk i kishte kërkuar këtij të fundit armëpushim.

Bisedën telefonike e konfirmoi edhe Tel Avivi zyrtar, i cili theksoi se Izraeli do të vazhdojë luftën derisa të gjitha objektivat e tij të arrihen plotësisht.

Përditësimi i fundit i të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës bëri të ditur se 20,258 palestinezë janë vrarë dhe 53,320 janë plagosur që nga nisja e ofensivës izraelite që ka shkatërruar pjesë të mëdha të enklavës dhe ka zhvendosur shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh.

Tv Klan

You may also like