100 % fitore larg shtëpisë, Partizani synon titullin nga… transfertat

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Faza e parë e kampionatit u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme për Partizanin. Vendi i parë, 19 pikë të grumbulluara, +4 nga ndjekësit më të afërt dhe fitore me goleadë në Durrës.

Situata është shumë pozitive në krahasim me një sezon më parë, kur “Demat” pas 9 javësh kishin arritur të grumbullonin vetëm 9 pikë. Trajneri Kolela ka rikthyer entuziazmin, lojën e bukur dhe besimin për të fituar titullin kampion.

Por kjo nuk është nisja më e mirë e fazës së parë në vitet e fundit. Partizani në sezonin 2015-2016 numëronte 25 pikë, ndërsa në sezonin 2018-2019 kishte grumbulluar 22 pikë.

Ekipi pak nga pak po fillon të ketë filozofinë e tij në fushën e lojës, skuadër e fortë fizikisht dhe agresive. Gjithashtu shfrytëzon mirë teknikën e Hotit dhe shpejtësinë e Skukës. Në Niko Dovana ekipi më në fund fitoi me goleadë dhe me shumë se një gol diferencë. Këto janë sinjale pozitive shumë të rëndësishme.

Partizani ka një armë më shumë në këtë kampionat, fitoret në transfertë. Në 4 ndeshjet e luajtura si udhëtues, ekipi i kuq ka arritur të marrë pikët maksimale. Ndeshja e parë në transfertë ka qenë kundër Bylisit, e fituar me golin e Skukës, më vonë erdhën 3 triumfe të tjera në Kukës, Shkodër dhe Durrës.

“Demat” kanë lënë pikë në sfidat ku kanë qenë si pritës, humbje me Tiranën dhe Erzenin dhe barazim me Kastriotin. Në të vërtetë ekipi është mësuar që të luajë në transfertë sepse edhe ndeshjet e shtëpisë i luan në Elbasan Arena. Ekipi s’duhet të falë pikët në shtëpi, ndërsa një tjetër aspekt ku duhet përmirësuar është vazhdimësia. Prej shumë ndeshjesh, skuadra e Kolelës nuk fiton 2 herë radhazi dhe do të provojë ta bëjë kundër Egnatias. Mbetet për t’u parë se si do të ndikojë prezenca e 4 titullarëve me Kombëtaren shqiptare, të cilët do të rikthehem pak më vonë sesa pjesa tjetër e skuadrës. / Oversport.tv

You may also like